Interi dhe Milani premtojnë betejë nga Riyadh. Derbi i Milanos është spostuar në Arabinë Saudite, aty ku mbrëmjen e së mërkurës, do të luhet finalja e Superkupës së Italisë.
Interi kërkon trofeun e parë sezonal. Handanoviq nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Inzaghi, teksa mjekët e ekipit janë në luftë me kohën që Brozoviq e Lukaku të jenë të paktën në stol. Në krahun e djathtë të mbrojtjes, mbetet balotazhi i zakonshëm, ku Darmian duket favorit përpara Dumfries.
Te Milani, Superkupa është shansi i Piolit që të fitojë një tjetër trofe, pas titullit kampion, por edhe të largojë krizën e kuqezinjve, pas barazimeve me Roma e Leçe dhe eliminimit nga Kupa.
“Është tejet e rëndësishme të fitojmë. E nisëm vitin e kaluar dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Do të rrisnim mentalitetin fitues në skuadër. Java e fundit nuk ishte ndër më të mirat, por derbi, për më tepër në finale e Superkupës është një ndeshje krejt tjetër”, tha Pioli.
Për duelin e së mërkurës në stadiumin ndërkombëtar “King Fahd”, te Milani kthehet Tonali, teksa edhe Rebiq është gati./Katror.info