Krijuesit e YouTube Shorts kanë për çka të gëzohen. Që nga e mërkura e 1 shkurtit përdoruesit që krijojnë përmbajtje për YouTube Shorts kanë mundësinë të fitojnë para, ka njoftuar vetë platforma e njohur e videove, Youtube.
Me këtë hap, YouTube duket se do ta konkurrojë rivalin më të madh TikTok, meqenëse u ka premtuar krijuesve 45 për qind të të ardhurave të krijuara nga shikimet. Tashmë dihet se në TikTok, edhe krijuesit më të mëdhenj kanë shumë pak fitim përmes programit të ndarjes së të ardhurave nga reklamat.
Përmes kësaj forme YouTube Shorts po përpiqet të tërheqë përdorues sa më shumë. Sipas të dhënave të 2022, platforma ka parë rritje të vazhdueshme dhe ka regjistruar 1.5 miliardë shikues në muaj, ndërsa TikToku pati rritje enorme në vitin 2022.
Tani YouTube po u ofron krijuesve mundësinë për të fituar para nga përmbajtja e tyre përmes Programit të Partnerëve në YouTube, që do të thotë se platforma do të ndajë një pjesë të të ardhurave që ata gjenerojnë nga Shorts.
Kërkesa për fitimin e parave është që kanali i krijuesit ose i reklamuesit të ketë të paktën 1000 abonentë ose 4000 orë shikimi në 12 muajt e fundit ose 10 milionë shikime publike të Shorts në 90 ditët e fundit./Katror.info