Tirana-feston sot 103 vjetorin e shpalljes kryeyqytet i Shqipërisë dhe për këtë nuk kanë munguar urimet gjithandej.
“Tirana feston sot 103-vjetorin e shpalljes Kryeqytet i Shqipërisë. Mirënjohje edhe për ata që, në këto vite, kanë kontribuar për ta zhvilluar Tiranën në një qytet modern e të denjë për të gjithë shqiptarët”, shkruajti kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në rrjete sociale.
Organet e larta të shtetit shqiptar, që dolën më 1920 nga Kongresi i Lushnjës (21-31janar 1920) u vendosën më 11 shkurt 1920 në Tiranë, që u caktua përkohësisht kryeqyteti i Shqipërisë, kurse përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet me statutin e Republikës Shqiptare në janar 1925.
Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Tiranë përcolli sot një mesazh urimi në kuadër të 103 vjetorit të Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë.
Bashkimi Evropian në Tiranë po restauron edhe Teatrin e Kukullave, që shërbeu pak pas shpalljes së Tiranës kryeqytet, si godinë parlamenti.
“Kur Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë, 103 vjet më parë, nisi edhe ndërtimi i një godine që pak vite më vonë do të bëhej Parlamenti i ri. Ajo është Teatri i Kukullave që kemi sot. Ndërtesa shërbeu edhe si zyrë për disa ministra të qeverisë së re. Sot, kjo godinë është duke u restauruar nga programi “EU4Culture”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS”, bëri të ditur zyra e BE-së në vendin tonë.
Ky projekt do të risjellë Teatrin historik të Kukullave për breza të tërë fëmijësh, të cilët do të krijojnë kujtime të bukura./Katror.info