Trafiku Urban në Prishtinë, ka bërë disa ndryshime lidhur me ulëset në autobusët publik.
Kësaj radhe, ulëse të veçanta do të ketë secila kategori e ndjeshme apo personat me aftësi të kufizuara.
”Në kuadër të angazhimit tonë për përmirësimin e infrastrukturës për të gjithë qytetarët, me një fokus të veçantë për personat me aftësi të kufizuara, kemi dedikuar ulëse për këtë kategori. Nga tani, 4 ulëse në pjesën e parë të secilit autobus do të jenë ulëse me përparësi për gra shtatzëna, persona me aftësi të kufizuara, të moshuar ose më pak të aftë për të qëndruar në këmbë”, thuhet në njoftimin e bërë të Trafikut Urban, në Facebook.
Ndërkaq, kjo arritje i dedikohet edhe përkushtimit të grupeve shoqërore, ku në këtë rast, Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës, ka shpërndarë lajmin e mirë në faqen e tyre në Facebook, ku thuhet se ishte avokuar që ulëset e veçanta të sigurohen në hapësirën e autobusëve urban, raporton Katror.info.
”’Pas përpjekjeve të vazhdueshme dhe avokimeve të KGVK-së, Trafiku Urban ka reaguar pozitivisht, duke ndërmarre hapa konkrete për të përmirësuar shërbimet e trafikut urban për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në njoftimin e Komitetit të Grave të Verbëra të Kosovës (KGVK).
Këto ulëse do të jenë në dispozicion nga e Enjtja, të cilat do të dedikohen për personat me aftësi të kufizuar. /Katror.info