Rimeli është pa diskutim një nga produktet kozmetike më të përdorura të të gjitha kohërave, historia e të cilit daton që në 1860-n, vit në të cilin Eugène Rimmel krijoi për herë të parë një produkt i cili theksonte sytë.
Maskara e parë përbëhej nga pluhur karboni dhe vaj mineral dhe u kthye në një “MUST” për vajzat dhe gratë e atyre viteve.
Ndërkohë që industria e kozmetikës përpiqet të sjellë për konsumatorët produkte sa më pranë natyrales, duket se shumë prej tyre rikthehen fuqishëm në modë siç është maskara blu, e cila ishte ikonë e viteve ’80 dhe ’90, si dhe është trendi i sezonit vjeshtë-dimër 2022.
I përdorur fillimisht nga yjet e muzikës pop, rimeli blu do të kthehej në produktin kozmetik më të dashur edhe të lady Dianës. Për një look modern dhe të guximshëm mund të zgjidhni nuancat e blusë intensive, ndërsa për një pamje më elegante ekspertët e make up-it këshillojnë tone më neutrale.
Mund të zgjidhni ta aplikoni në të gjithë qerpikët ose të lyeni vetëm majat, duke e kombinbuar edhe me ngjyra të tjera.