Sportistet e reja të Kosovës në xhudo kanë shkruar një tjetër kapitull suksesi në arenën ndërkombëtare, duke fituar tri medalje në Kupën Evropiane për Juniorë, e cila u zhvillua në Shkup.
Laurinë Gashi u kurorëzua me medaljen e artë në kategorinë -52 kg, duke e dominuar garën me përfaqësime të forta nga e gjithë Evropa. Ajo e dëshmoi talentin dhe përgatitjen e saj me një performancë të jashtëzakonshme në të gjitha përballjet, raporton Katror.info.
Në të njëjtën kategori, Sidorela Dodaj arriti të ngjitet në podium me medaljen e bronztë, duke siguruar një tjetër sukses për xhudon kosovare. Ndërkohë, Enise Zijade fitoi gjithashtu medalje të bronztë në kategorinë -57 kg, duke përmbyllur një fundjavë të artë për sportin e vendit.
Këto arritje janë dëshmi e punës së palodhshme të sportistëve të rinj dhe e përkushtimit të trajnerëve dhe strukturave të sportit në Kosovë. Komiteti Olimpik i Kosovës ka uruar sportistet për suksesin e tyre, duke iu dëshiruar edhe më shumë arritje në të ardhmen.
Performanca e tyre në këtë turne është një ogur i mirë për të ardhmen e xhudos në Kosovë, që tashmë është kthyer në një nga sportet më të suksesshme të vendit në skenën ndërkombëtare./Katror.info