Tri shkolla në Prishtinë: “Nazim Gafurri”, “Xhevdet Doda” si dhe “Gjimnazi i Specializuar Matematikor” janë në renovim, me projekte që përfshijnë përfshijnë përmirësime të nyjeve sanitare, rikonceptualizimin dhe ridefinimin e hapësirave të brendshme, me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Arton Berisha, bashkë me ekipin e tij, realizuan një vizitë në vendpunishtet e këtyre shkollave, ku inspektuan punimet dhe u siguruan për avancimin e këtyre projekteve.
“Me kënaqësi mund të raportojmë se punët po zhvillohen në përputhje me standardet e larta dhe me ritmin e planifikuar. Sipas të dhënave të fundit, ecuria e projektit është në përputhje me kalendarin e parashikuar dhe ne presim që të gjitha punimet të përfundojnë në kohë,” njoftoi NPB përmes një njoftimi në rrjete sociale.
“Në veçanti, mund të konfirmojmë se shkollat do të jenë të gatshme dhe të përgatitura për nxënësit dhe mësimdhënësit më 1 Shtator, kur do të fillojë vit i ri shkollor. Ky është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe sigurisë në ambientet shkollore,” thuhet në njoftim./Katror.info