Presidenti amerikan, Donald Trump, duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se po konsideron seriozisht vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Ndërkohë, Arabia Saudite ka njoftuar se të martën në Xhedah do të mbahen bisedimet mes SHBA-së dhe Ukrainës.
Presidenti amerikan Donald Trump ka folur para gazetarëve në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka thënë se e ka më të vështirë me Ukrainën dhe çështjen e saj.
Presidenti amerikan ka thënë se seriozisht po konsideron sanksione të reja në shkallë të gjerë kundër Rusisë deri atëherë kur të arrihet marrëveshja për paqe edhe pse nuk ka dhënë kurrfarë detajesh se për çfarë sanksionesh bëhet fjalë.
CBS ka raportuar se sanksione do të aplikohen ndaj bankave kineze që bashkëpunojnë me Rusinë si dhe sanksione ndaj të gjitha bankave ruse mund të vijnë në shprehje.
Trump ka thënë se Rusia po e bombardon ashpër Ukrainën dhe se u ka thënë atyre se nuk mund ta bëjnë këtë.
Megjithatë, sipas kritikëve, tarifat apo sanksionet amerikane nuk ka gjasa ta shqetësojnë presidentin rus Vladimir Putin për shkak të tyre.
Një nga gazetarët e ka pyetur presidentin Trump pse vendet evropiane nuk kanë propozuar ndonjë plan paqeje derisa presidenti Trump është përgjigjur se disa pyetje nganjëherë mbeten pa përgjigje.
Ndërkohë, mësohet se Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina do të takohen për bisedime në Arabinë Saudite të martën që vjen. Ministria arabe e punëve të jashtme ka lëshuar një komunikatë përmes së cilës e mirëpret takimin që do të mbahet në Xhedah./Katror.info