Nuk do fort mund të zbulohet se prej nga vijnë tre artistët. Ulqini është i dukshëm në veprat e Naser Hasës, Bilal Nikezit e të Edin Kapllanit. Në ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma si bashkëpunim midis Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi dhe Galerisë së Fakultetit të Arteve, treshja ka ardhur me ngjyra të ngrohta e energji mediterane
Janë peizazhe që në shikim të parë i përthekon qetësia. Por ngadalë përballë tyre duket sikur ngjyrat ndizen dhe kompozicionet marrin njëfarë dinamizmi. Pikturat vijnë me imazhe deti, peshqish, shtëpi përreth bregut, e pjesë të tjera të natyrës e atmosferës së bregdetit. Tablotë në formate të ndryshme sjellin pikëpamje të ndryshme artistike. Janë format e ndërtuara nga tre piktorë ulqinakë që prekin tri gjenerata. I bashkon fryma mesdhetare që përshkon thuajse krejt kompozicionet. Pikë të përbashkët e kanë edhe Prishtinën, ku kanë përfunduar studimet për pikturë. Naser Hasa, Bilal Nikezi dhe Edin Kapllani në Galerinë e Fakultetit të Arteve kanë bërë bashkë konceptet e format e tyre shprehëse.
Në ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma si bashkëpunim midis Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi dhe Galerisë së Fakultetit të Arteve, treshja ka ardhur me ngjyra të ngrohta e energji mediterane. “Ditët e kulturës së Ulqinit në Prishtinë” është pagëzuar seria e ngjarjeve që ka nisur me ekspozitë.
Naser Hasa kësaj radhe prek edhe vendbanime më rurale e trashëgimi ku bëjnë pjesë shtëpitë tradicionale e peizazhe të veçanta natyrore. Bilal Nikezi bashkon varkat, shtëpitë e detarëve e trupat njerëzorë, kryesisht femërorë. Është një lojë formash që fut publikun në botën e artistit.
Kurse Edin Kapllani me peshqit shumëngjyrësh krijon mozaikë ujoresh në forma të çrregullta. Midis ngjyrave një prej veprave në bardhezi i bën peshqit të duken më ndryshe. Rrezatojnë njëfarë historie të vjetër sa vetë Ulqini si qytet i moçëm.

Piktori Hasa ka thënë se kanë zgjedhur punime nga periudha të ndryshme që ekspozita të jetë sa më edukuese për brezat e rinj.
“Ne kemi një përvojë me ekspozime në krejt Evropën. Qëllimi është që rinia që studion sot artin të ketë një pikënisje se çfarë punohet sot në botë dhe të ketë një kontakt adekuat me artin bashkëkohor”, ka thënë ai. Sipas tij e rëndësishme është që arti të jetë i njëmendtë.
“Arti s’ka mes. Ose është art ose nuk është. Ne jemi piktorë që kemi bërë emër e ekspozita botërore. Rinia na është bashkuar dhe ngadalë me ata bashkë punojmë. Ata kanë një shans që të mësojnë e të bëjnë emrin e vet”, ka thënë ai. Ka përmendur profesorët e dikurshëm të tyre që kanë bërë histori në Universitetin e Prishtinës si pedagogë e artistë. Ka thënë se janë studentë të Muslim Mulliqit, Rexhep Ferrit e Tahir Emrës.
Artisti Bilal Nikezi ka thënë se nëse shihet koloriti i punimeve, vërehet një frymë mediterane.
“Shihet një vend bregdetar që shijohet shumë edhe nga kosovarët”, ka thënë ai. S’ka lënë pa përmendur se ishte student i akademik Rexhep Ferrit. Treshja ka shëtitur shumë por në Kosovë s’kanë ekspozuar në këtë format.
“Janë motive të ndryshme, shtëpi peshkatarësh e të tjera që e karakterizojnë vendin tonë. Nuk preferoj të flas shumë për veprimtarinë time. Kam qenë shumë i preokupuar me figuracionin, sidomos figurën e njeriut, femrës. Motivet janë të ndryshme. Kam edhe disa faza që kanë zgjatur nga dy e tre vjet. S’jam i lidhur vetëm me një motiv. Vazhdimisht tentoj të hulumtoj diçka të re por i ruaj elementet që i japin vulë krijimtarisë sime modeste”, ka thënë ai.
Në hapësirën tjetër të Galerisë që ka goxha ambient për ekspozim, veprat e Edin Kapllanit përthekojnë idetë e piktorit që i takon një gjenerate krejt tjetër në raport me dy bashkëvendësit e tij.
“Është një cikël që i kam punuar gjatë e edhe pas studimeve. Ndërkohë kanë ndryshuar ato të studimeve me këto aktualet sa i përket lojës së peshqve, mozaikut e atmosferës. Energjia që ka qyteti ynë ndikon në krijimtari”, ka thënë ai. Ngacmimi me peshqit në bardhezi vjen si një ndërhyrje estetikisht provokuese midis veprave të tij.

“E dua shumë ngjyrën. Por duke e punuar më është dukur se vizatimi po rri në pikturë dhe s’ka nevojë për ngjyrë”, ka thënë ai derisa ka folur për atë vepër. Veprat e treshes bashkojnë detin, baladat, figurat njerëzore, qetësinë e vuajtjen.
Piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se artisti vazhdimisht absorbon.
“Gjithçka që ka Ulqini sonte ka ardhur këtu nga tre artistë. Artisti s’mund të jetë indiferent nga ajo që e rrethon. Sonte ka një kronologji të Ulqinit që ka ardhur këtu. Studentët tonë vijnë e shohin dhe e kuptojnë se artisti gjatë gjithë jetës e thith ambientin”, ka thënë ajo.
Sipas anëtares korrespodente të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, ekspozitat e tilla kanë rol të madh.
“Nëse të gjitha artet puqen në këtë vend sigurisht ka rezultate te studentët tonë e po ashtu është njëfarë diplomacie kulturore midis një populli që jeton në dy shtete”, ka thënë ajo.
Ish-kryetari i Komunës së Ulqinit, Gzim Hajdinaga i cili tash është në të midis Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi, ka thënë se ekspozita është një moment i veçantë.
“Kultura e piktura nuk donë fjalime të mëdha. Me sonte fillon maratona e kulturës së pakicave kombëtare në Mal të Zi. Saktësisht fillon më 20 nëntor por ne e fillojmë sonte”, ka thënë ai, shkruan Koha.net. Ka treguar se sot (e enjte) Kori i Gjimnazit të Ulqinit do të interpretojë këngë të vjetra qytetare të qytetit bregdetar në Prishtinë. Nëpërmjet ekspozitës dhe Korit, artistët ulqinakë kanë sjellë kreativitet e energji mediterane në Prishtinë./Katror.info
















