Universiteti i Prishtinës është përfshirë në Programin e Mentorimit për Liderët e Ardhshëm, një iniciativë e mbështetur nga UNMIK, e zhvilluar nga UN Women Kosova dhe e realizuar në bashkëpunim me UP-në, shkruan Katror.info.
Ky program synon të forcojë lidershipin e grave në Kosovë, duke krijuar ura bashkëpunimi mes studenteve të reja dhe profesionisteve të suksesshme në fusha të ndryshme.
Ngjarja e hapjes mblodhi akademikë, diplomatë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, mentorë dhe studentë, të gjithë të angazhuar për fuqizimin e grave dhe promovimin e një lidershipi të barabartë. Prorektoret dhe profesoreshat Majlinda Gjelaj dhe Albana Berisha-Qehaja konfirmuan mbështetjen e plotë të Universitetit të Prishtinës për këtë nismë, ndërsa programi brenda UP-së u koordinua nga profesoresha Arta Basha-Jakupi, një zë i fuqishëm në promovimin e mentorimit.
Ekipi i UN Women Kosova, i udhëhequr nga Vlora Tuzi-Nushi, bashkë me partnerët kyçë institucionalë, ka punuar për të krijuar një program që fokusohet në mentorim, zhvillim profesional dhe fuqizim të grave të reja. Përmes këtij programi, 25 mentore të dëshmuara profesionalisht do të udhëheqin 25 studente të Universitetit të Prishtinës, duke u ofruar mbështetje dhe njohuri për të ndërtuar karrierat e tyre.
Programi synon të krijojë një kulturë mentorimi ku gratë profesioniste investojnë në gjeneratat e reja, duke ndihmuar në transformimin e përfaqësimit të grave në pozita drejtuese. Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar për të nxitur mentorimin dhe fuqizimin e grave, duke e konsideruar këtë si një mision afatgjatë për një lidership më gjithëpërfshirës dhe të barabartë./Katror.info