Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka shënuar një dekadë që prej fillimit të Programit të Punës Praktike, një nismë që ka shërbyer si ura e parë lidhëse ndërmjet auditorit dhe tregut të punës për mijëra studentë e të diplomuar, shkruan Katror.info.
Ky program, që zhvillohet në kuadër të zyrave, qendrave, njësive akademike dhe instituteve të UP-së, synon të pajisë të rinjtë me njohuri praktike, aftësi profesionale dhe integritet personal, duke i përgatitur për sfidat reale të karrierës që i pret pas përfundimit të studimeve.
Programi është i strukturuar dhe i mentoruar nga mbikëqyrës të përgatitur profesionalisht, ndërsa përfshin edhe një komponent trajnues të pasur me ligjërata mbi udhëheqjen dhe menaxhimin, mendimin kritik, hulumtimin, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe shumë fusha të tjera relevante për zhvillimin profesional dhe personal.
Punët praktike ofrohen si me pagesë ashtu edhe vullnetarisht, varësisht nga nevojat e njësive përkatëse të UP-së, duke u dhënë mundësi të barabarta gjithë studentëve dhe të sapodiplomuarve që dëshirojnë të fitojnë përvojë të vlefshme pune pa u larguar nga ambienti universitar.
Si institucioni më i vjetër, më i madh dhe më i vlerësuar i arsimit të lartë në Kosovë, Universiteti i Prishtinës mbetet një pikënisje e fuqishme për karrierën e të rinjve, duke dëshmuar rolin e tij thelbësor në zhvillimin akademik dhe profesional të brezave të rinj.
Të interesuarit për detaje të mëtejme rreth programit mund të vizitojnë vegëzën zyrtare të Programit të Punës Praktike në faqen e UP-së./Katror.info