Alpinistja e njohur kosovare, Uta Ibrahimi, është nderuar me certifikatën për arritje të jashtëzakonshme në alpinizëm nga Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Alpinistëve (UIAA). Ky vlerësim ndërkombëtar i është dhënë për ngjitjet e saj në majat mbi 8.000 metra dhe për faktin se ajo është gruaja e parë dhe e vetme nga rajoni i Ballkanit që ka arritur këtë sukses të jashtëzakonshëm.
Këtë vit, Asambleja e UIAA-s është mbajtur në Pejë, Kosovë, çka për Ibrahimin ka qenë një moment i veçantë dhe simbolik. “Ishte privilegj të mirëpres miq dhe alpinistë nga e gjithë bota në malet tona,” ka shkruar ajo në një postim, duke shtuar se ditët e asamblesë ishin të mbushura me inspirim, lidhje dhe ndarje përvojash.
Gjatë këtij eventi, Uta Ibrahimi pati gjithashtu mundësinë të prezantojë mbi zhvillimin e alpinizmit në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një tjetër moment krenarie për vendin dhe komunitetin alpinist që po rritet çdo ditë e më shumë./Katror.info









