Në një ceremoni të mbushur me emocion dhe krenari kombëtare, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i dorëzoi shtetësinë kosovare yllit ndërkombëtar të muzikës, Dua Lipa. Ngjarja solemne u zhvillua të enjten në ambientet e Presidencës dhe u shoqërua me momente prekëse që u shpërndanë më pas edhe për publikun përmes një videoje zyrtare.
Pritja nisi me një performancë të veçantë nga kori i vajzave që mirëpritën artisten me këngën e saj hit “Levitating”, duke i dhuruar një hyrje artistike dhe emocionale. E prekur nga ky gjest dhe nga nderimi që iu bë, Lipa u shpreh se kjo ishte një nga ditët më të veçanta të jetës së saj.
Presidentja Osmani, në fjalën e saj, e përshkroi Dua Lipën si një ambasadore të pashpallur të Kosovës, që përmes artit të saj ka promovuar kulturën, identitetin dhe shpirtin e rinisë kosovare në çdo cep të globit.
“Me zërin, talentin dhe përkushtimin e saj, ajo i ka dhënë jehonë Kosovës në gjithë botën. Kjo shtetësi është vetëm një gjest i vogël në krahasim me atë që ajo ka bërë për ne,” shkroi Osmani.
Kjo vizitë e veçantë ndodh vetëm një ditë para performancës së shumëpritur të Dua Lipës në edicionin e tretë të festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë – një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në vend, ku ajo rikthehet për të sjellë edhe një herë energjinë e saj elektrizuese për publikun kosovar./Katror.info