Ilir, Astrit dhe Alban Sefa janë tre vëllezërit kosovarë që njihen si “mbretërit e patateve” në Bruksel. Kjo pasi ata shesin ndër patatet e skuqura më të mira atje.
Ata janë pronarë të biznesit “Master Frites” dhe janë spikatur nga kanali televiziv RTL-TVi, i cili iu kushtoi një emision të tërë biznesit të tyre.
“Unë kur kam ardhur këtu, vetëm burri i hallës kishte një dyqan me patate të skuqura. Ia kam nisur të punoj aty, por hapin e parë për të punuar si i pavarur e kam marrë vëllai i katërt që nuk është këtu me ne sot, Mërgimi, i cili ka hap dyqanin e vetë në 1998 dhe një vit më mbrapa me ndihmën e Mërgimit e kam hapur unë. Më tej, në kohën e luftës më janë bashkuar edhe Albani dhe Astriti”, tregon Iliri në një intervistë për ABC News.
Më tej, ai zbuloi se ata janë pjesë e një konkursi të rëndësishëm në Belgjikë, ku mes 6 mijë kandidatëve, janë zgjedhur deri më tani te 6-të më të mirët. Iliri theksoi se synojnë të renditen te tre vendet e para, për të përfaqësuar sa më denjësisht shqiptarët.
“Për momentin jemi te më të mirët, jemi në vendin e gjashtë, gara vazhdon dhe po synojmë top 3. Është me vërtetë një nder i madh, se është sikur një belg të vij të bëjë ballokumet më të mira të Elbasanit. Kemi qenë shumë të befasuar nga të gjitha komentet që kemi marrë, vetëm përkrahjet. Kemi thyer atë mitin që jemi të huaj. Na kanë adaptuar një mënyrë masive me nder. Nëse fitojmë këtë konkurs, fitojmë titullin dhe një respekt shumë të madh, sepse shqiptarët fatkeqësisht bëhen në media të njohur për gjëra të tjera”, tha ai./Katror.info