Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvilloi në Berlin një takim me përfaqësues të operatorëve dhe agjencive të njohura turistike në Gjermani, si dhe botues e drejtues të revistave prestigjioze për turizmin, në një diskutim mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal.
Në kuadër të Panairit të Turzimit në Berlin, mikpritësi i eventit u shpreh se Shqipëria ka zgjuar ndjeshëm interesin e turistëve gjermanë, i cili vitin e kaluar u rrit me 60 për qind, krahasuar me periudhën e para Covidit, duke theksuar se Shqipëria është qartësisht një rajon i ardhshëm udhëtimi për gjermanët, me plazhet e saj, me kulturën e saj, me jetën e gjallë në qytetin e Tiranës dhe me distancën e shkurtër të fluturimit me Gjermaninë.
“Shqipëria qartësisht është një rajon i ardhshëm udhëtimi për gjermanët, me plazhet e saj, me kulturën e saj, me jetën e gjallë në qytetin e Tiranës dhe me distancën e shkurtër të fluturimit me Gjermaninë. Besoj që nisja e bashkëpunimit në turizëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë është një përputhje e shkëlqyer”, shtoi Rama në këtë takim.
Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit u dakordësuan se Shqipëria ka një potencial të shkëlqyer në tregun gjerman dhe treguan interes për atë çfarë mund të ofrojë turizmi shqiptar në të ardhmen,
“Unë përfaqësoj operatorët e vegjël turistikë dhe agjencitë e udhëtimit në Gjermani dhe jam shumë i interesuar të dëgjoj më shumë për vendin tuaj”, u shpreh një prej tyre.
“Jam kryeredaktor i Travel Book që është revista më e madhe e udhëtimeve online në Gjermani dhe si çdo gazetar jam shumë, shumë kureshtar për Shqipërinë dhe çfarë vjen më pas për të”, u shpreh një tjetër përfaqësues i një prej revistave më të mirënjohura në fushën e turizmit.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama, teksa mori fjalën, u shpreh mes të tjerash se objektivi i qeverisë shqiptare për vitin 2030 është që Shqipëria të jetë kampionia e Ballkanit në turizëm.
“Më lini t’ju them se kurrë, asnjëherë, nuk ma kishte marrë mendja të kisha kënaqësinë edhe të isha me kaq shumë gazetarë që nuk interesohen për politikën, por për jetën. Kjo është e jashtëzakonshme dhe faleminderit për këtë! Së dyti, kurrë nuk do ta kisha imagjinuar të nisesha për të drekuar me 4 vetë dhe aty gjeta 40 vetë. Kjo është shenjë e mirë, Ndoshta Gjermania po ngrohet. Së treti Gjermania po thyen protokollet. Është një shenjë vërtetë e mirë”, tha Rama./Katror.info