Loriana Kuka ka nisur të premten periudhën testuese në kategorinë e re, atë deri në 70 kilogramë. Garën e parë e kishte në Austri, në Upper “Grand Prix”. Nuk zuri vend në podium, por megjithatë kishte paraqitje për të vlerësuar. U rendit e pesta.
Loriana në vitet e fundit ka garuar në kategorinë deri në 78 kilogramë. Ka pasur telashe me formë së fundmi dhe është vendosur të zhvendoset në kategorinë deri në 70 kg, ku së fundmi kishte garuar më 2017, shkruan koha.
Në Austri, Loriana nisi me fitore ndaj polakes Aleksandra Kowalewska. Më pas e mposhti sllovene Anka Pogaçnik. Në luftën e tretë u mposht nga hungarezja Szabina Gercsak. Vazhdoi në repesazh, ku fillimisht e mposhti suedezen Anna Bernholm. Në luftë për medalje të bronztë humbi nga Hilde Jager e Holandës. Në fakt Loriana ishte duke dominuar plotësisht, por Jager realizoi befasisht hedhje për uazari. Më pas vazhdoi aksionin për të siguruar tjetër uazari dhe fitore. Loriana mbeti e dëshpëruar nga humbja, por megjithatë ka dhënë shenja se mund ta prekë kulmin në kategorinë deri në 70 kg. Ajo ka edhe dy gara të tjera para se të nisë viti i fundit i kualifikimeve. Nëse paraqitet mirë, do të vazhdojë në këtë kategori. Nëse ka telashe, do të kthehet në kategorinë deri në 78 kg, ku ka medalje botërore e evropiane.
Pa medalje të premten mbeti edhe Akil Gjakova. Ai u rendit i shtati në kategorinë deri në 73 kg.
Të enjten në Austri garuan Erza Muminoviq e Flaka Loxha, që u ndalën herët. Ndërkohë të shtunën garon Shpat Zekaj./Katror.info