Pas shumë vitesh zhvillimi, kompania Virgin Galactic më në fund është gati t’u ofrojë klientëve fluturime në hapësirë.
Virgin ka konfirmuar zyrtarisht se do të bëjë fluturimin e parë komercial në hapësirë, të quajtur Galactic 01, më 29 qershor dhe ky mision inaugurues do të përfshijë tre udhëtarë nga Forcat Ajrore Italiane dhe Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, të cilët do të udhëheqin kërkimet në mikrogravitet.
Kompania tashmë ka plane për fluturimet e ardhshme. Galactic 02 është planifikuar për në fillim të gushtit dhe është i rezervuar për një ekuipazh privat. Bëhet e ditur se Virgin do të kryejë fluturime mujore, por ende nuk ka detaje të tjera. Kompania njoftoi se do të mundësohet ndjekja e transmetimeve të dy fluturimeve përmes faqes zyrtare të internetit.
Fluturimi i fundit testues para-komercial, i pesti në total, u krye nga Virgin në maj. Kompania u përball më parë me vonesa të shumta për shkak të incidenteve. Testi i parë i anijes kozmike SpaceShipTwo u zhvillua në vitin 2013, por aktivitetet u ndërprenë pas rrëzimit fatal të ISS Enterprise. Fluturimet testuese nuk rifilluan deri në vitin 2016 kur u testua VSS Unity. Virgin më në fund arriti në hapësirë në vitin 2018, por duhej të priste deri në vitin 2021 për fluturimin e tij të parë në hapësirë. Kjo ishte kur themeluesi i kompanisë Richard Branson udhëtoi në hapësirë. Fluturimet komerciale janë vonuar disa herë dhe avioni VMS Eve, i cili mban anijen kozmike SpaceShipTwo, është përmirësuar ndërkohë.
Prandaj, fillimi eventual i fluturimeve në hapësirë është jashtëzakonisht i rëndësishëm për biznesin e Virgin, pasi kompania ka shënuar humbje prej vitesh dhe ka humbur më shumë se 500 milionë dollarë vetëm në vitin 2022. Shërbimi komercial nuk do t’i kthejë ato investime shpejt edhe pse bileta kushton 450,000 dollarë, por kompania do të marrë një burim të konsiderueshëm të ardhurash. /Katror.info
Përgatiti:
