“War of the World” (Lufta e Botëve) romani nga Herbert George Wells, është ndoshta romani më me ndikim i të gjithë zhanrit të fantashkencës, si dhe një pjesë e rëndësishme e kategorisë horror.
Kur një meteorit zbret në Surrey të Anglisë, vendasit nuk dinë se çfarë të bëjnë me të. Por, ndërsa marsianët dalin dhe fillojnë të vrasin kalimtarët, shpejt bëhet e qartë – Anglia është nën sulm.
Ushtarët e armatosur mblidhen në skenë për të shmangur pushtuesit, por ndërkohë, më shumë cilindra marsianë zbarkojnë në Tokë, duke sjellë përforcime. Ndërsa shpërthen lufta në të gjithë Anglinë, vendasit duhet të luftojnë për jetën e tyre, por jeta në Tokë nuk do të jetë kurrë e njëjtë.
Ky është një version i thjeshtëzuar i një prej tregimeve të para imagjinare të pushtimit jashtëtokësor. Romani ushtarak fantashkencë i Herbert George Wells u botua për herë të parë në formë libri në 1898 dhe konsiderohet një klasik i letërsisë angleze.

Deri më sot, romani “Lufta e Botëve” ka frymëzuar shtatë filma, si dhe drama të ndryshme radiofonike, komike, video lojëra, seri televizive dhe vazhdime ose tregime paralele nga autorë të tjerë. Shumica janë vendosur në vende ose periudha të ndryshme të romanit origjinal. Ndër përshtatjet më të përfolura është transmetimi lagjendar radiofonik i vitit 1938 i transmetuar dhe drejtuar nga regjisori dhe aktori i famshëm Orson Welles për CBS radio.
Dy të tretat e para të transmetimit 60-minutësh u prezantuan si një seri buletinesh lajmesh, të përshkruara në mënyrë shumë bindëse dhe reale duke shkaktuar panik te dëgjuesit që besonin se ngjarjet e përshkruara në program në të vërtetë po ndodhin duke lëshur shtëpitë e tyre në mënyrë që të kërkojnë strehim në polici. Megjithatë, kritikët e mëvonshëm theksojnë se paniku u ekzagjerua nga gazetat e kohës, duke kërkuar të diskreditojnë radion si burim lajmesh.

Por, adaptimi i romanit në mënyrë më origjinale të mundshme asokohe ndodh në fushën e muzikës.
Versioni muzikor i Jeff Wayne i “The War of the Worlds” është një album i dyfishtë në studio i muzikantit, kompozitorit dhe producentit britanik Jeff Wayne, i realizuar më 9 qershor 1978 , (80 vjet pas botimit të romanit dhe 40 vjet pas përshtatjes radiofonike) në një stil opere, me një grup rock, orkestër simfonike, tregimtarë e aktorë dhe lajtmotive që përcjellin historinë dhe tekstet që shprehin ndjenjat e personazheve të ndryshëm.
Versioni muzikor i Jeff Wayne i “The War of the Worlds” u ndikua nga shumë prej rok albumeve konceptual nga Beatles, The Who, Beach Boys etj. “The War Of The Worlds” e çon konceptin një hap më tej duke përfshirë pjesë të kënduara dhe të folura për personazhet nga libri i H.G. Wells, të interpretuara nga artistë të mirënjohur si aktori Richard Burton, këngëtari Justin Hayward nga The Moody Blues, David Essex, Chris Thompson nga Earth Band i Manfred Mann. Phil Lynott i Thin Lizzy dhe Julie Covington.
Pra, Jeff Wayne bën bashkë, aktorët, rok muzicientët, orkestrën simfonike, efektet speciale, dhe krijon diçka që është edhe muzikal edhe teatër edhe kolonë zanore edhe simfoni me ritëm modern ku treten ritmet e disco muzikës, rokut progresiv, simfonisë dhe baladave në mënyrë që të krijohet efekti sa më real i fabulës së romanit ku ka dashuri, luftë, vuajtje por edhe tmerre. Tingujt befasues dhe pionier të sintetizimit në album u krijuan nga Ken Freeman.
Natyrisht, duke pasur parasysh se projekti u ndërtua rreth një historie fantastiko-shkencore që shfaqte jashtëtokësorë, Wayne ishte i etur për tinguj të pazakontë, të botës tjetër, por në përputhje me qasjen e lajtmotivit të komponimeve të tij. Ai i kërkoi Freeman-it të imagjinonte tinguj që mund të ishin specifikë për marsianët dhe makinerinë e tyre. Wayne u befasua që tingujt e “alienëve” pëlqeheshin nga audienca. Megjithatë, një nga tingujt më të veçantë të alienëve nuk u bë nga Freeman, por nga kitaristi Jo Partridge. Wayne shpjegoi, “Tingulli ‘ulla’ që bëjnë marsianët kur po terrorizojnë tokën, prej të cilit edhe audienca tmerrohej është një kombinim i një talkbox dhe performancës së Partridge që e luajti atë në kitarë.
Dy kitaristët, Jo Partridge dhe Chris Sepdding ishin jashtëzakonisht kreativë në konceptimin e pjesëve të tjera, për shembull, me temën Heat Ray në këngën “Horsell Common and the Heat Ray” që luhej nga Jo Partridge në një kitarë në të cilën të gjitha telat ishin akorduar në të njëjtën notë, duke krijuar një tingull të paqartë dhe të madh Në të njëjtën këngë, basisti Herbie Flowers, dyfishoi linjën e tij të basit një oktavë më lart.
Wayne në përgjithësi u përpoq të shmangte efektet speciale, duke preferuar që tingujt e pazakontë të krijoheshin muzikalisht nga sintetizuesit, por gruaja e tij Geraldine gjeti një sërë efektesh foley, ose i krijoi ato bashkë me të. Në një rast, zhurma e cilindrit me marsianët që zbarkonin në një shtëpi u krijua në një sintezë, ndërsa zhvidhosja e cilindrit u bë nga Wayne duke gërvishtur dy tenxhere si në tualetin e studios, dhe në tastin e tualetit me dy mikrofona.
Wayne, angazhoi një “orkestër harqesh me 48 pjesë të drejtuar nga Pat Halling, me 24 violina, 12 viola, tetë violonçelo dhe katër kontrabase. Tingulli ishte fantastic dhe qysh fillimi i albumit me “The Eve Of The War” paralajmëronte aventurë muzikore.
Më 1 qershor 1978, versioni muzikor i “The War of the Worlds” i Jeff Wayne shijoi premierën e tij zyrtare në Planetariumin e Londrës. Të nesërmen, u publikua singli i parë i albumit, një version i redaktuar i baladës “Forever Autumn”, kënduar nga Justin Hayward. Ai shkoi në numrin pesë një muaj më vonë. Albumi u publikua më 9 qershor, me një vlerësim të gjerë të kritikëve, me kualifikime si “madhështor”, “i shkëlqyer” dhe “katër anët e përsosmërisë së plotë”.
Versioni Muzikor i Luftës së Botëve i Jeff Wayne fitoi dy çmime Ivor Novello dhe në vitin 1979 mori çmimin “Incizimi më i mirë në Science-Fiction”. Në juri ishin Alfred Hitchcock, George Lucas dhe Steven Spielberg.
Në shtator të vitit 1978, Wayne kishte hyrë në negociata me Paramount Pictures mbi të drejtat e filmit dhe me dy producentë koncertesh, për të paraqitur një version skenik live të albumit. Ideja dështoi dhe Wayne iu desh mundim deri në vitin 2006 për të organizuar një turne koncertesh të albumit.

Turneu i parë u realizua në Britaninë e Madhe, Irlandë, Australi dhe Zelandën e Re. Wayne dirigjoi orkestrën harqesh me 48 muzicientë si dhe bendin 10 anëtarësh Black Smoke Band. Një Richard Burton “virtual” pasi që aktori tani më kishte vdekur, (një bust i madh i gazetarit mbi të cilin ishte projektuar një imazh i një Burton të ri me gojën dhe buzën e nofullës së aktorit super të sinkronizuar me regjistrimet origjinale të Burton).
Një makinë luftarake model u shfaq në skenë. Një prequel i shkurtër i animuar i historisë u prezantua gjithashtu në stilin e filmit të ardhshëm artistik që përshkruan në detaje shkatërrimin ekologjik të botës së tyre nga marsianët (i bërë fillimisht për lojën kompjuterike të vitit 1998) dhe përgatitjet e tyre për të pushtuar Tokën.
Jeff Wayne ri-realizoi të gjithë albumin në 2012, me aktorin Liam Neeson si transmetues, në vend të Richard Burton, këngëtarin e njohur Gary Barlow, në vend të Justin Hayward, dhe kryesisht të njëjtët anëtarë të grupit si në versionin e 1978-ës.

“The War of The WorldS ” i Jeff Wayne është ende duke u luajtur në Londër dhe gjetiu dhe përshkruhet si një kombinim i “teatrit zhytës, realitetit virtual, realitetit të shtuar, hologrameve dhe teknologjisë së fundit, të gjitha të vendosura në rezultatin ikonik të Jeff Wayne; duke i dhënë audiencës shansin për të jetuar përmes pushtimit marsian të 1898.”
Është e qartë se trashëgimia e versionit muzikor të “The War of the Worlds” të Jeff Wayne është ende e gjallë. Ajo është bërë pjesë e kulturës dhe statusi i saj i famshëm duket se do të vazhdojë edhe në shekullin e 21-të./Katror.info
Përgatiti:
