Një xhemper me një dele të zezë, i veshur nga princesha e ndjerë britanike Diana do të dalë në ankand në Sotheby’s në fund të gushtit. Marka e modës Warm & Wonderful ka dizajnuar xhemperin që do të jetë artikulli kryesor i modës në shitjen online të Sotheby’s nga 31 gushti deri më 14 shtator.
Xhemperin e kuq me një dele të vetme të zezë në një turmë delesh të bardha, Diana e veshi për herë të parë kur pa Princin e atëhershëm Charles duke luajtur polo në qershor të vitin 1981. Kjo ishte një muaj para dasmës së tyre, duke nxitur spekulime për rëndësinë e mundshme të veshjes, shkruan Katror.info.
Pasi xhemperi ishte i dëmtuar te kyçi i dorës, sekretari i saj privat Oliver Everett i shkroi bashkëthemelueses së Warm & Wonderful Joanna Osborne dhe e pyeti nëse mund ta rregullonin. Disa muaj më vonë Diana mori një të ri dhe ajo u fotografua në të në vitin 1983. Osborne e gjeti xhemperin origjinal në një kuti në papafingo në mars.
“Nëse je Princesha Diana, sigurisht që ke qasje në shumë rroba që mund të zgjedhësh të veshësh”, tha Cynthia Houlton, drejtuese globale e modës në Sotheby’s, për Reuters në Londër të hënën.
“Fakti që ajo donte një të ri dhe dy vjet më vonë veshi sërish xhemperin zëvendësues, mendoj se tregon shumë se sa shumë do të thoshte ky xhemper për të”, shtoi ajo. Së bashku me xhemperin, i cili vlerësohet të jetë vlejë nga 50,000 deri në 80,000 dollarë, në ankand janë edhe dy letra nga Evereti drejtuar Osbornit. /Katror.info