Në YouTube është i vetëdijshëm se shumë përdorues përdorin shtesa për bllokimin e reklamave si AdBlock ose uBlock Origin, falë të cilave ata mund të parandalojnë shfaqjen e reklamave të bezdisshme, shkruan Katror.info.
Gjithashtu, ata janë të vetëdijshëm se bllokuesit e reklamave janë një aleat i mirë në luftën kundër pagesës për abonimet Premium, ndaj vendosën të kryejnë një eksperiment në të cilin duan të detyrojnë përdoruesit të paguajnë për YouTube Premium.
Një përdorues i Reddit (Sazk100) postoi një pamje të një mesazhi të veçantë kur përpiqej të luante një video. YouTube parandalon luajtjen e videos nëse bllokuesi i reklamave është i aktivizuar dhe ofron dy opsione: ose të mos përdorësh adblock dhe të shikosh shumë reklama, ose të provosh YouTube Premium.
Rezulton se ky eksperiment është i kufizuar në një numër të vogël njerëzish, dhe është e mundur që kjo ide të mos rezultojë plotësisht e suksesshme.
Megjithatë, nuk do të ishte çudi nëse ky eksperiment kthehet në diçka të përhershme, diçka që do t’u vijë të gjithë përdoruesve. Në atë rast, shumë përdorues me gjasë do të preferonin të hiqnin dorë nga YouTube sesa të pranonin pagesën Premium./Katror.info