Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensly, të enjten ka mbërritur në samitin urgjent të Bashkimit Evropian në Bruksel ku do të diskutohet përkrahja e Ukrainës dhe forcimi i mbrojtjes së shteteve evropiane.
Në një fjalim të shkurtër para gazetarëve, Zelensky falënderoi liderët evropianë për “mbështetjen e fortë” të cilën ai thotë se e ka parë “që nga fillimi i luftës dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, përfshirë javën e kaluar”, përcjell KOHA.
“Jemi shumë mirënjohës që nuk jemi vetëm. Dhe këto nuk janë vetëm fjalë. Ne e ndjejmë atë. Është shumë e rëndësishme që ju [dërgoni] sinjal të fortë për popullin ukrainas, për luftëtarët ukrainas, për civilët, për të gjitha familjet tona. Dhe është mirë që nuk jemi vetëm”, ka thënë presidenti ukrainas.
Liderët evropianë u mblodhën në Bruksel pas përplasjes që Zelensky pati me presidentin amerikan Donald Trump. SHBA-ja pezulloi ndihmën ushtarake për Ukrainën. Që atëherë, Zelensky ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur në Shtëpinë e Bardhë.
Në fjalimin në Kongres të martën, Trumpi e mirëpriti reflektimin e Zelenskyt./Katror.info