“Për personat, të cilët sot ballafaqohen me mendime për vetëvrasje, ju themi se nuk jeni e asnjëherë nuk do të qëndroni vetë. Ne do të luftojmë çdo ditë, krahas jush që të keni vendin e juaj në shoqërinë tonë të përbashkët.”
Kështu premton Bind Skeja, Drejtor i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS), gjersa prezantoi nismën e “Linjës së Jetës” , qendrës telefonike për parandalimin e vetëvrasjes, dhe 15 organizatave tjera të shoqërisë civile për lansimin e peticionit për Projektligjin për parandalim të vetëvrasjes.
Përmes peticionit do t’i kërkohet Kuvendit të Kosovës hartimi i ligjit që krijon mekanizmat, përmes të cilëve do t’u ofrohej ndihmë njerëzve që kanë mendime vetëvrasëse dhe atyre që tentojnë të vetë-lëndohen.
“Ne kërkojmë prej institucioneve, konkretisht prej Ministrisë së Shëndetësisë, po edhe instancave tjera të Qeverisë që me hartu një strategji për parandalim të vetëvrasjes që prej vitit 2016. Kjo deri tash nuk ka rezultuar në sukses, andaj duke mos dashur të presim, me mbërri domethënë instancat politike vetë në këtë konkluzion që na veçse po tentojmë me i shty, jemi mbledhur bashkë edhe e kemi filluar hartimin e një peticioni, i cili e obligon Kuvendin ta shtyjë përpara ligjin, pa pritur ne tani deri në pikën kur gjejmë vullnetin politik”, thotë Bind Skeja, drejtor i QIPS.
Nuk është turp të kërkohet ndihma kur ndihesh keq. Në “Linjën e Jetës” 45 vullnetarë, që nga viti 2019 ofrojnë mbështetje krejtësisht konfidenciale, duke mos pasur qasje as në numër e as në lokacionin e telefonuesve që kërkojnë ndihmë.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme, sidomos në rastin e vetëvrasjes është shumë pak e folur, po mendoj teknikisht është shumë e folur, po zgjidhjet për to janë shumë pak të folura, dhe kjo diskrepanca që po ndodh, po i shtyn edhe njerëzit më tutje në vetëvrasje, për shkak që me muhabetet po janë domethënë të gjera, mirëpo zgjidhjet që po i kanë janë shumë të pakta.”
“Ne vetë e menaxhojmë “Linjën e Jetës”, çështjen telefonike për parandalim të vetëvrasjes edhe e dimë sa problem është me gjetë për dikë mbështetje afatgjate përtej atyre që ne mundemi me bë. Prandaj edhe jemi bërë bashkë që me lansu këtë peticion dhe po shpresojmë që qytetarët kanë me e gjetë kohën e tyre për me na mbështetë”, shprehet ai.
Afërsisht brenda një viti një mijë persona kërkojnë ndihmë te “Linja e Jetës”, që menaxhohet nga një organizatë joqeveritare. Andaj edhe ideja e peticionit ka për qëllim që të krijohen mekanizma shtetërorë, që merren me çështjen e parandalimit të vetëvrasjeve.
“I vetmi send që Qeveria duhet me e bo është me i ndjekë kërkesat që i kemi bërë në peticion, që është hartimi i një programi në rrjetin e shërbimeve joklinike që ofrojnë mbështetje sociale, mekanizma për profesionalizim të mediave kur raportojnë për vetëvrasjen, një mekanizëm për me mbledhë dhëna për vetëvrasje edhe shumë pika tjera që veçse i kena cek. Nëse do Qeveria me marrë vete iniciativë, ata munden me nis që prej sot hartimin e këtij ligji, pa pas nevojë me prit prej neve për me i mbledhë nënshkrimet renda gjashtë muajve”, shton tutje Skeja.
E dita e parë e mbledhjes së nënshkrimeve sinjalizonte shpresë.
“Shumë kemi gjetur mbështetës, domethënë ne veç aktivistë këtu jemi diku në 15 dhe me gjashtë organizatat e shoqërisë civile që jena bashku, gjithashtu aktivistë/e të shoqërisë civile që nuk janë pjesë e ndonjë organizate. Edhe brenda momenteve të para që na e kemi çelë shtandin, domethënë për me u nënshkru, veçse janë mbledhë 10 nënshkrime, edhe kjo domethënë brenda 10 minutave të parë edhe po presim që ka me u mbledhë shumë shpejt”, u shpreh Skeja.
Fushatat ndërgjegjësuese dhe nismat e tilla mund të edukojnë publikun rreth shenjave paralajmëruese të vetëvrasjes dhe si të ndërhyhet në mënyrë efektive. Ndërsa, krijimi i mekanizmave parandalues nga institucionet, pajis secilin nga ne me njohuri për të dalluar kur dikush mund të jetë në rrezik dhe se si t’i ofrohet mbështetje apo ndihmë profesionale.
“Për personat, të cilët sot ballafaqohen me mendime për vetëvrasje, ju themi se nuk jeni e asnjëherë nuk do të qëndroni vetë. Ne do të luftojmë çdo ditë, krahas jush që të keni vendin e juaj në shoqërinë tonë të përbashkët.”
‘’Nëse s’kish pas vullnet prej tyre që me punu në këtë drejtim, atëherë, Linja e Jetës sot nuk kish ekzistu. Domethënë, ajo mirëmbahet parimisht prej vullnetarëve dhe prej kohës së tyre që e kanë dhe vullnetet që e ofrojnë’’, shprehet Skeja.
Nënshkrimet për peticionin për hartimin e Ligjit për parandalimin e vetëvrasjes do të mblidhen në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Gjakovë.
E aktivistët e Linjës së Jetës, duke potencuar se shëndeti mendor është e drejtë themelore e njeriut dhe secili duhet ta gëzojë të drejtën e qasjes në shërbime cilësore kur ballafaqohen me shqetësime të shëndetit mendor, ju ofron linjën e tyre 0800 12345, nga ora 14:00 deri në ora 02:00, çdo ditë të javës. /Katror.info
Edicionin #46 të plotë e gjeni KËTU!