Kosova shënon më 27 tetor 2025 dhjetëvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian, një moment historik për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të vendit në strukturat evropiane.
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit kërkon që vendet që synojnë anëtarësimin në BE të përmbushin standardet e qeverisjes dhe të shoqërisë civile të Bashkimit Evropian. Nënshkrimi i saj u realizua më 27 tetor 2015 në Strasburg nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Në një postim në Facebook, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka kujtuar këtë përvjetor duke e vlerësuar MSA-në si një nga arritjet më të mëdha shtetërore në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe integrimit evropian. Ai shtoi se, megjithatë, potenciali i marrëveshjes nuk është shfrytëzuar sa duhet për shkak të ngulfatjes së kreativitetit ekonomik, social, diplomatik dhe integrues nga agjenda politike në vend.
MSA-ja mbetet një instrument kyç për avancimin e reformave dhe forcimin e marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian./Katror.info









