Edona Saliu, vetëm 20-vjeçare, nga komuna e Ferizajit, po shijon suksesin e studimeve në Amerikë.
Së fundmi ajo njoftoi se është angazhuar si praktikante në fushën e programimit në njërën nga gazetat më prestigjoze botërore, atë të “The New York Times”.
Momentalisht, Saliu është duke i vijuar studimet në Universitetin “Minerva”, në San Francisco.
Si adoleshente, sa po e ndiqte shkollimin e mesëm ajo vetëm se e kishte nda mendjen për të studiuar jashtë vendit.
“Në klasën e 11-të, 12-të, kam filluar aplikimet e mia nëpër universitete jashtë vendit. Fokusi im ka qenë më shumë në Amerikë, ku kam marrë bursa të ndryshme prej fakulteteve, ku kam vendosë me ju bashkëngjitë “Minerva University”, ku kam fitu bursë të plotë”, Saliu tha për Kallxo.com.
Ndërsa për praktikë në “The New York Times”, ka aplikuar qysh në janar të këtij viti.
“Ata kanë bë pyetje teknike në shkenca kompjuterike, edhe janë vlerësu aftësitë e mia në këto intervista, por gjithashtu kam pasë edhe intervista edhe me persona nga burimet njerëzore, ose me kolegë që kam me punu në të ardhëm”, tregoi Saliu.
Gjithashtu, para “The New York Times”, ajo ka aplikuar dhe është pranuar në platformën Google.
“Kam kërku për mundësi nëpër kompani ose nëpër universitete që i marrin studentët për me bo hulumtime e Google ka qenë një ndër to. Programin në të cilën kam apliku ka qenë, “Computer Science Research Fellow”, shtoi Saliu./Katror.info