Duke sjellë në pah kujtimet e një epoke të tërë të njërit prej sporteve më të dashura në Kosovë, dokumentari ‘4 Çerekët’ ofron një rrëfim emocionues që zhytet thellë tek rrënjët e basketbollit kosovar, duke ndriçuar historinë, sfidat dhe momentet më të lavdishme të tij ndër dekada.
Dokumentari i Katror Media pati premierën zyrtare më 25 prill përballë komunitetit të basketbollit dhe dashamirësve të sportit, në Teatrin Kamertal në Kolegjin AAB.
Prezantimi i dokumentarit filloi jo me episodin e parë, por të tretin, meqenëse sipas autorit dhe producentit Leart Hoxha, përfshin periudhën më dinamike: pjesëmarrjen në ligat e ish-Jugosllavisë dhe sfidat gjatë okupimit e pasluftës.
“Sonte e shfaqim episodin e 3-të, dhe arsyeja pse jemi përcaktu për episodin e 3-të është që e përfshin numrin ma të madh të folësve, është episodi më dinamik, njëkohësisht e përfshin një periudhë të cilën shumica prej jush në sallë e keni në memorie, po flas prej mesit të viteve ’80 deri pas luftës, por njëkohësisht është edhe episodi ndoshta më interesant për gjeneratat e reja. Taktika që e kemi përdorë gjatë realizimit të dokumentarit ka qenë shumë e thjeshtë: Blerimi (Vuniqi) interviston lojtarët, unë intervistoj funksionarët, edhe ka funksionu goxha mirë me atë që me krenari Federata e Basketbollit me krenari mundet me pohu që bartës të funksioneve kryesore tash janë krejt ish-lojtarë dhe janë njerëz për të cilët edhe komuniteti ka respekt,” u shpreh Hoxha.
Ky projekt i Katror Media i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është kulmi i shumë bashkëpunimeve, përvojave dhe pasionesh për vetë mediumin. Muhamet Jashanica, drejtor ekzekutiv i Katror Media falënderoi të gjithë të pranishmit dhe theksoi përkushtimin e ekipit në realizimin e dokumentarit.
“Faleminderit të gjithëve që keni ardhë! Është me të vërtetë kënaqësi që sot jeni këtu dhe jemi krejt bashkë për me mujt me e pa një punë tepër të madhe që e kemi bo gjatë këtyre muajve. Realisht kjo punë që do të shfaqet sot nuk kish me mujt me u bo kaq mirë pa angazhimin e madh të Leartit, Blerimit edhe ekipit të produksionit të Katror Media, kështu që faleminderit të gjithëve, shijojeni!,” tha Jashanica.
Rol kyç luan gazetari sportiv e ish-basketbollisti Blerim Vuniqi, i cili përmes intervistimit me kolegët e tij na dhuroi një udhërrëfyes për të ardhmen e këtij sporti në Kosovë. Blerim Vuniqi ndau emocionet e tij për rikthimin në kujtimet e së kaluarës.
“Emocionet janë të tilla kur rikthehemi në kohë, kur i kujtojmë gjithë ato momente të bukura që i kemi kaluar me bashkëlojtarë, por edhe në kohëra tjera kur ka qenë e vështirë për t’u marrë me basketboll. Unë mendoj që është një punë e mirë të cilën e ka bërë autori i këtij dokumentari, Leart Hoxha pastaj edhe Katrori Media, Meti së bashku me gjithë stafin e tij, do të thotë kemi punuar dhe e kemi funksionuar mjaft mirë.”
Më tej, ai theksoi kontributin e lojtarëve ndër vite dhe sfidat e kohës.
“Secili prej tyre ka dhënë kontributin e vet në basketboll. Jemi munduar që edhe në kohëra të vështira të japim atë kontributin çfarë është pritur nga ne që basketbolli më pastaj të merr hovin pas luftës dhe të shohim se basketbolli vërtet është sporti numër një,” tha Vuniqi.
Ndjenja të fuqishme përjetuan edhe kryesuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës, që po ashtu janë pjesë e maratonës së intervistave te “4 Çerekët”. Arben Fetahu, kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) përshkroi emocionet që i përjetoi gjatë shikimit të dokumentarit dhe rëndësinë e tij për brezat e ardhshëm.
“E përjetova edhe me emocione, edhe pozitive, edhe negative, edhe qesha edhe m’u mbushën sytë lot prej krejt atyre sendeve që i pashë këtu. Është shumë mirë që të kthehen disa memorie. Për neve në Federatën e Basketbollit të Kosovës është shumë i rëndësishëm që më në fund e kemi një material të cilin do t’ua lëmë edhe brezave tjerë, se për fat të keq deri sot nuk e kemi pasë një të tillë, kështu që duhem me e përgëzu edhe producentin, edhe autorin e kësaj, e këtij filmi dokumentar, edhe me thonë që jam vërtet i kënaqur me atë që pashë deri tash edhe mezi po pres me i pa episodet tjera.”
Ai foli edhe për zhvillimet e sotme në basketbollin kosovar.
“Ajo që po ndodh sot në basketbollin e Kosovës është diçka që në atë kohë as s’kemi mujt me e pa ëndërr në fillim kur kam fillu unë. E sot do të thotë kemi probleme krejt tjera, kemi çështje krejt tjera me të cilat merremi, kemi profesionalizëm të plotë në Superligë, e kemi një prej ligave më të mira në rajon, domethënë është diçka krejt tjetër,” tha Fetahu.
Linda Shala, nënkryetare e FBK-së, e vlerësoi dokumentarin si një arkiv të çmuar për historinë e basketbollit në Kosovë.
“Shumë emocione, për faktin se dokumentari ka një vlerë të jashtëzakonshme, sepse janë përmbledhur rrëfimet e njerëzve, të cilët e kanë bo historinë e basketbollit, është shumë domethënëse me e pasë këta si një arkiv tënden, pse jo gjeneratat e reja duhet me e ditë zhvillimin e basketbollit në Kosovë, i cili besomëni që shihet prej dokumentarit, nuk ka qenë i lehtë,” u shpreh Shala.
Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së ndau emocionet si ish-basketbolliste dhe si zyrtare e lartë e federatës.
“Ke shumë emocionuese për mu edhe si ish-basketbolliste, po në të njëjtën kohë edhe si Sekretare e Përgjithshme e Federatës, me përjetu që është ba më në fund një dokumentar për basketbollin e Kosovës. Edhe në dokumentar kam folë qysh ende nuk po mbërrij me e realizu, me e pru basketbollin në nivelin kur ka qenë atëherë,” tha ajo.
Dokumentari përfshin 20 legjendat e basketbollit dhe është strukturuar në katër episode – një ndarje simbolike që ndjek formatin e një ndeshjeje basketbolli.
Ibrahim Karabegu theksoi rëndësinë e dokumentarit si një dëshmi historike.
“Dokumentari ka qenë shkëlqyeshëm, do të thotë u bo një send që është dashtë edhe më herët me u bo, po u bo, po më vjen mirë. Ky është një dokumentar që…çka kena përjetu gjatë para luftës, qysh kena lujt para luftës, pas luftës, krejt janë në këtë dokumentar që munden me e pa krejt Kosova. Unë kam pranu menjëherë me gjithë qejf se ka pasë aty shumë hapësirë për me bisedu edhe me diskutu basketbollin, përparshëm edhe sotit.”
Mit’hat Belegu shprehu kënaqësinë që më në fund po lihen gjurmë për brezat e rinj.
“Nuk e kemi adet ne shqiptarët me lanë gjurmë për të kaluarën tanë, po kjo jashtëzakonisht më ka pëlqy se është një dokument i mirë i cili ka me iu shërby të rinjve për sportin e basketbollit që ma tepër me e dashtë, me u marr me basketboll, kështu që edhe ata kanë përfitim po edhe basketbolli prej tyre. Më ka ndihmu se m’i ka përkujtu shumë gjana të rinisë time se unë diku në basketboll afër 75 vjet kam qenë aktiv, kështu që veten e kam ndi në disa raste si të isha në moshë të rinisë,” u shpreh Belegu.
Naim Hajrizi foli për befasinë e këndshme dhe emocionet që i ngjalli dokumentari.
“Ishte diçka edhe më shumë se ç’e kam pritë, kam mendu që nuk ka me qenë në këtë mënyrë dhe në këtë prezantim të gjithë ata ish-basketbollista që kanë tregu për ngjarjet e tyre që i kanë kalu, për mendimin tim ka qenë një dokumentar shumë emocionues, edhe tash po i ndjej emocionet e këtij dokumentari sikur kur kam fillu me lujt.”
Për vetë autorin, ky projekt ka edhe një dimension personal.
“Është problematike për shkak se unë atë material që u transmetu sot e kam dëgju nja 26 herë minimum, secilin tregim e kam ditë përmendësh edhe dikur e krijon një lidhje emocionale me ish-lojtarë, sidomos me lojtarë veteranë, që ti i ke respektu tanë jetën edhe të dhimbet me ja u gjujt një pjesë të tregimit, thjesht mos m’i përfshi në dokumentar, ajo i bjen që e gjun, e fërfëllon dikah.”
“E mira është që disponimi është i mirë, përgjithësisht ish-basketbollistët janë kah e çmojnë që janë akterë të krejt ngjarjeve që i pamë, edhe në gusht besoj e transmetojmë në ATV edhe ta shohim cilat janë reagimet e publikut, por reagimet fillestare janë të mira dhe janë inkurajim për me bo diçka ma tutje.”
Çereku i parë i dokumentarit përfshin fillesat e sportit që nga vitet e 40-ta deri te ngritja e Buduqnostit të Pejës në vitet e ’60-ta.
Çereku i dytë fokusohet në dy klube kyçe Elektrokosova te meshkujt dhe Universiteti te femrat – që kanë përcaktuar drejtimin e zhvillimit sportiv në Kosovë.
Çereku i tretë përfshin periudhën më dinamike: pjesëmarrjen në ligat e ish-Jugosllavisë, mëvetësimin e sportit dhe sfidat gjatë okupimit e pasluftës.
Çereku i fundit tregon përpjekjet për ndërkombëtarizim, nga përfshirja në ligën Trocal dhe BIBL deri te anëtarësimi i FBK-së në FIBA në vitin 2015.
Dashamirët e basketbollit dhe jo vetëm, të gjithë çerekët do të mund t’i shohin online në platformën e Katror Media./Katror.info
Përgatiti: Beatrisa Culaj