NASA ka zbuluar molekulat organike më të mëdha të gjetura ndonjëherë në Mars, duke hapur një dritare në të kaluarën e planetit të kuq. Këto përbërje sugjerojnë se në të kaluarën mund të kenë ndodhur procese komplekse kimike organike – të nevojshme për lindjen e jetës, sipas një studimi të ri.
Molekulat organike, që përfshijnë dekanin, undekanin dhe dodekanin, u zbuluan pasi mjeti eksplorues analizoi një mostër shkëmbi 3.7 miliardë vjet të vjetër duke përdorur laboratorin e tij të vogël, SAM (Sample Analysis at Mars), shkruan CNN, transmeton Katror.info.
Shkencëtarët besojnë se këto molekula të gjata mund të jenë fragmente të acideve yndyrore – përbërje kimike që në Tokë ndihmojnë në formimin e membranave qelizore dhe janë elementë thelbësorë për jetën. Megjithatë, këto substanca mund të formohen edhe pa praninë e jetës, përmes ndërveprimit të ujit me mineralet në ventilat hidrotermale.
Edhe pse këto molekula nuk mund të konsiderohen ende si dëshmi e jetës së dikurshme në Mars, ato i shtohen listës në rritje të përbërjeve të zbuluara nga eksploruesit robotikë në këtë planet. Studimi mbi këtë zbulim u publikua të hënën në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences.
Zbulime premtuese për gjurmët e mundshme të jetës
Prania e këtyre molekulave të ndjeshme ndaj kushteve të ashpra të planetit inkurajon shkencëtarët që kërkojnë biosinjatura (gjurmë të mundshme të jetës) në Mars. Këto substanca mund të kenë mbetur të ruajtura pavarësisht rrezatimit diellor të fuqishëm që ka goditur planetin për miliona vite.
“Jeta e lashtë, nëse ka ekzistuar në Mars, do të kishte lëshuar disa molekula komplekse dhe të brishta,” tha autorja kryesore e studimit, Dr. Caroline Freissinet, shkencëtare kërkimore në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore.
“Tani që e dimë se Marsi mund t’i ruajë këto molekula, do të thotë se mund të zbulojmë gjurmë të mundshme të jetës së lashtë në këtë planet”, tha ajo.

Ky zbulim gjithashtu forcon argumentin për kthimin e mostrave nga Marsi në Tokë, ku mund të analizohen me pajisje shumë më të sofistikuara. Kjo mund të ndihmojë për të përcaktuar përfundimisht nëse ndonjëherë ka ekzistuar jetë jashtë Tokës.
Një analizë e gjatë në kohë
Mjeti eksplorues Curiosity u ul në kraterin Gale më 6 gusht 2012 dhe, pas më shumë se 12 vitesh, ka përshkuar mbi 34 kilometra, duke u ngjitur në malin Sharp, një formacion shkëmbor që përmban shtresa të ndryshme gjeologjike që tregojnë kalimin e Marsit nga një mjedis i lagësht në një të thatë.

Një nga mostrat më të vlefshme që ka mbledhur ky mjet u mor në maj të vitit 2013, nga një zonë brenda kraterit të quajtur Yellowknife Bay, që dikur ishte një shtrat liqeni i lashtë. Mostra, e njohur si Cumberland, u analizua nga laboratori i mjetit, duke treguar se rajoni ka pasur ujë të lëngshëm për miliona vite – një kusht i rëndësishëm për proceset që mund të krijojnë jetë.
Një sinjal intrigues
Eksperimentet laboratorike në Tokë konfirmuan se këto molekula të zbuluara nga Curiosity janë produkte të prishjes termike të acideve yndyrore më të mëdha. Molekulat e gjetura janë më të mëdha dhe më komplekse se ato të zbuluara më parë në Mars, një faktor që i bën ato më të ngjashme me proceset biologjike.
“Proceset jobiologjike zakonisht prodhojnë acide yndyrore më të shkurtra, me më pak se 12 atome karboni,” tha Dr. Amy Williams, bashkautore e studimit dhe profesoreshë e gjeologjisë në Universitetin e Floridës.
Megjithëse Curiosity nuk është projektuar për të zbuluar drejtpërdrejt jetë në Mars, fakti që ai ka arritur të gjejë këto përbërje organike sugjeron që, nëse ndonjëherë ka pasur jetë, shenja të saj mund të jenë ende të dallueshme.
Rëndësia e kthimit të mostrave në Tokë
Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) planifikon të dërgojë mjetin eksplorues ExoMars Rosalind Franklin në Mars në vitin 2028, i cili do të jetë në gjendje të shpojë deri në 2 metra nën sipërfaqe – një hap i madh për zbulimin e molekulave edhe më të mëdha dhe më të ruajtura mirë.
Ndërkohë, Perseverance, një tjetër mjet eksplorues i NASA-s, po mbledh mostra në Jezero Crater, një ish-deltë lumi, me synimin për t’i sjellë ato në Tokë në vitet 2030 për analiza të thelluara. Studiuesit besojnë se vetëm me pajisjet më të avancuara në laboratorët tokësorë mund të zbulohet përfundimisht nëse këto përbërje janë krijuar nga proceset biologjike apo kimike.
Nëse molekulat e zbuluara në mostrat e Cumberland rezultojnë të jenë mbetje të një jete mikrobiale që ekzistonte 3.7 miliardë vjet më parë, atëherë kjo do të përputhej me periudhën kur jeta filloi në Tokë.
“Ky zbulim na afron më shumë se kurrë me mundësinë e gjetjes së një sinjali biologjik të rëndësishëm,” tha Dr. Ben K.D. Pearce, një nga ekspertët e planetologjisë në Universitetin Purdue.
“Megjithatë, për të dhënë një përgjigje përfundimtare, na duhen mostrat në Tokë”, theksoi ai.
Sipas Daniel Glavin nga NASA, kjo është një epokë emocionuese për shkencën planetare.
“Jemi kaq afër të zbulojmë nëse ka pasur ndonjëherë jetë në Mars. Është një debat që duket se ka vazhduar përgjithmonë – por tani ndoshta jemi më afër se kurrë për ta zgjidhur”, tha ai. /Katror.info
Përgatiti:
