Sot, nga ora 15:00 do të vazhdojë seanca konstituive përkatësisht për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
Në tentaivën e tretë të seancës konstitutive, të shtunën u miratua raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve dhe u bë betimi i deputetëve.
Në seancën e së shtunës, në pikën e tretë të rendit të ditës, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, si subjekti me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, deputeti Glauk Konjufca propozoi për kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu. Në dy procedura votimi, për kandidaturën e paraqitur votuan 57 deputetë, ndërsa kryesuesi Dehari konstatoi se propozimi nuk kalon dhe në këto rrethana njoftoi për ndërprerjen e seancës së 19 prillit, duke paralajmëruar vazhdimin e saj për sot (të hënën), në orën 15:00.
Vetëvendosje ka paralajmëruar se Albulena Haxhiu sërish do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit.
Të shtunën, pro zgjedhjes së Haxhiut si kryeparlamentare përvec VV-së dhe koalicionit të saj Guxo dhe Alternativa, votoi edhe deputeti Nenad Rashiq, partia e së cilit ka siguruar një nga dhjetë ulëset që u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb.
Ndërsa, kundër zgjedhjes së Albulena Haxhiut votuan deputetët e zgjedhur të LDK-së, kurse ata të Nismës Socialdemokrate abstenuan.
Ndërkohë, PDK-ja, Lista Serbe dhe disa deputetë të AAK-së nuk morën pjesë në votim.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e lëshoi sallën para se të niste votimi. /KP