Finlanda ka kryesuar “Renditjen Botërore të Lumturisë” për të tetin vit radhazi – por tërheqja e vërtetë për udhëtarët qëndron te vlerat thelbësore të vendit: ekuilibri, natyra dhe kënaqësia e përditshme.
Finlandezët e pranojnë titullin e vendit të lumtur, që ju dha nga Raporti Botëror i Lumturisë i Kombeve të Bashkuara në muajin mars të vitit 2025 për të tetin vit me radhë, ‘me një ngritje supesh dhe një rrotullim të syve’.
Por, operatorët turistikë finlandezë janë duke festuar, pasi udhëtarët po e lidhin gjithnjë e më shumë Finlandën me lumturinë, me shpresën për ta përjetuar vetë atë version finlandez të lumturisë, shkruan bbc, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, mos prisni të përshëndeteni me të qeshura të mëdha dhe batuta të gëzueshme kur të zbrisni në aeroportin e Helsinkit apo nga tragetet baltike në portin e kryeqytetit. Ka një farë të vërtete në perceptimin e Finlandës si një komb pa shumë bujë, tokësor dhe realist.
Në përgjithësi, finlandezët ndihen të nderuar – madje edhe të kënaqur – nga përfundimet e raportit, por edhe pse i pranojnë me mirësjellje, mendojnë se fjala “lumturi” nuk është termi i duhur. Në vend të saj, fjalë si “kënaqësi”, “përmbushje” apo “kënaqësi me jetën” konsiderohen më të përshtatshme.
Siç shkroi së fundmi në rrjetet sociale, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb se “askush nuk mund të jetë i lumtur gjatë gjithë kohës, dhe ndonjëherë rrethanat e bëjnë të vështirë. Por ta nisim me gjërat themelore – sigurinë, lirinë dhe barazinë – është një fillim i mirë”.
Megjithëse koncepti i lumturisë në Finlandë është i ndërlikuar dhe specifik, ai është thellësisht i rrënjosur në jetën e përditshme. Në vend që të kërkojnë vazhdimisht emocione të forta, finlandezët i japin rëndësi ekuilibrit, lidhjes me natyrën dhe kënaqësisë së qetë – cilësi që po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorët. Dhe për udhëtarët, kjo mënyrë jetese nuk është thjesht diçka për t’u vëzhguar, por një përvojë për t’u përfshirë vetë: përmes natyrës, saunës, ushqimit, dizajnit të qëndrueshëm dhe stilit të jetës finlandeze.
“Ne e shohim lumturinë finlandeze si një përmbledhje të këtyre pesë elementeve”, thotë Teemu Ahola, drejtor i operacioneve ndërkombëtare në Visit Finland, “por ne nuk e masim apo mbledhim të dhëna për ta vlerësuar lumturinë si një atraksion më vete”.
Për të përjetuar këto aspekte të prekshme dhe autentike të jetës finlandeze që qëndrojnë në themel të renditjes së saj të qëndrueshme në lumturi, Ahola sugjeron kulturën e saunës finlandeze si një atraksion gjithnjë e më popullor dhe më i dallueshëm në nivel global; dhe thekson se Finlanda është një vend i sigurt, duke përmendur si një nga të vetmet rreziqe të mundshme për turistët vizitorë përplasjen e rastësishme me drerët që enden të lirë në Lapland-in verior.
Ndërkohë, ai shton se një brez i ri dhe shefash finlandezë ka fituar respekt ndërkombëtar dhe ka nxitur interes për skenën kulinare finlandeze.
Finlanda është shtëpia e restorantit me yllin “Michelin” – Tapio, në Ruka-Kuusamo; ndërsa rajoni i liqeneve Saimaa u shpall Rajon Europian i Gastronomisë në vitin 2024.
Shumë restorante në të gjithë Helsinkin festojnë pasuritë e ngrënshme – kërpudhat, manaferrat, peshkun dhe mishin e egër – që janë të arritshme për të gjithë në pyjet pa fund të vendit, në arkipelagun bregdetar dhe në rrjetin e ujërave të brendshme, falë ligjit finlandez Jokaisenoikeudet apo “E drejta e gjithkujt”, që u garanton të gjithëve lirinë për të lëvizur dhe mbledhur ushqim në natyrë.
Lidhu me natyrën
Helsinki, aty ku shumica e vizitorëve e nisin ose e përfundojnë udhëtimin e tyre, ofron një vështrim të drejtpërdrejtë mbi këtë kënaqësi kombëtare. Është një qytet bregdetar, i shtrirë mbi një arkipelag natyror të mrekullueshëm dhe mbi tokë të rikuperuar nga deti.
Është e lehtë të marrësh një biçikletë qyteti nga një nga dhjetëra stacionet që ndodhen nëpër qytet dhe të nisesh për të eksploruar rrugët bregdetare për biçikleta apo për t’u zhdukur në Parkun Qendror – një brez pyjor që shtrihet nga qendra e qytetit deri në periferi në veri.
Rritja e endorfinës që vjen nga kjo liri e aventurës dhe qasja e bollshme në burimet natyrore lidhen drejtpërdrejt me përmasat e lumturisë të përcaktuara nga OKB-ja: jetëgjatësia, liria dhe emocionet pozitive.
Kjo lidhje gjendet në thelb të SaimaaLife, një kompani e mirëqenies dhe natyrës në rajonin e gjerë të liqeneve Saimaa në Finlandën lindore, e drejtuar nga ekspertja e shëndetit mendor dhe guida Mari Ahonen.
Ahonen është një mbështetëse e zjarrtë e ekuilibrit mendor që natyra dhe mënyra e jetesës finlandeze ofrojnë. Ajo udhëheq mysafirët e saj nëpër përvoja si shinrin-yoku (banja në pyll), sauna tradicionale buzë liqenit, larje të egra në natyrë, mbledhje kërpudhash e manaferrash dhe gatim në zjarr të hapur.
“Ne finlandezët ndonjëherë jemi shumë modestë”, thotë ajo dhe shtoi se “duhet ta vlerësojmë statusin e Lumturisë Botërore në mënyrë pozitive. Unë jam shembulli i gjallë i dikujt që ka arritur të zhvillojë një biznes falë mbështetjes që ofrohet për sipërmarrësit. Disa njerëz thonë se të lindësh në Finlandë është si të fitosh në lotari”.
Një fitore në lotari, pra, në formën e kënaqësisë dhe ekuilibrit në jetë; të jetosh rehat dhe të kesh “mjaftueshëm” në kuptimin material. Ky “tavan pritshmërie” nuk duhet ngatërruar me mungesën e ambicies apo të aftësisë për të vepruar. Fundja, ky është vendlindja e pionierit të komunikimeve mobile Nokia, markës karakteristike të veglave të kopshtit dhe gërshërëve Fiskars, dhe ikonës së tekstilit dhe modës Marimekko.
Stoik dhe kokëfortë
Megjithatë, Finlanda nuk është imune ndaj presioneve ekonomike apo polemikave, dhe dimrat e gjatë e të errët mund të ndikojnë negativisht në shëndetin mendor. Ideja finlandeze e lumturisë përfshin gjithashtu një dozë sisu-je: koncept i vështirë për t’u përkthyer që nënkupton qëndresë, forcë shpirtërore, guxim dhe këmbëngulje.
Autorja finlandezo-kanadeze, Katja Pantzar, e cila ka shkruar gjerësisht mbi këtë cilësi të perceptuar si kombëtare, shpjegon se është “një mënyrë të menduari që u mundëson individëve dhe komuniteteve të përballen së bashku me sfidat, në vend që të dorëzohen apo të fajësojnë e sulmojnë të tjerët”.
Ajo thekson se katër vendet e para në Raportin Botëror të Lumturisë janë të gjitha vende nordike me sisteme të forta mirëqenieje që janë ndërtuar për të mbështetur të mirën e përbashkët.
“Lumturia është një koncept shumë kulturor,” thotë ajo. “Në Finlandë, ka shumë shembuj të lumturisë së përditshme që janë të disponueshme dhe të arritshme për të gjithë – qoftë kjo natyra (çdo person në Finlandë ndodhet mesatarisht rreth 200 metra larg nga pylli më i afërt, parku, bregdeti apo ndonjë trup ujor natyror), saunat, bibliotekat publike, transporti publik i sigurt dhe efikas, uji i pijshëm falas dhe i pastër, arsimi apo kujdesi shëndetësor.”
Pantzar gjithashtu vë në dukje efektin pozitiv në humor që sjell terapia e kontrastit – saunat e nxehta të ndjekura nga zhytje në ujë të ftohtë – si një mënyrë e thjeshtë dhe e përditshme për të përmirësuar gjendjen shpirtërore.
“Është jashtëzakonisht e lehtë ta bësh në Helsinki, i rrethuar nga deti. Kur nuk ke nevojë të udhëtosh larg apo të paguash shumë për një zhytje të shpejtë, është më e lehtë ta praktikosh rregullisht – para punës, pas saj apo gjatë pushimit të drekës”, deklaroi ajo.
Dhe ndonëse disa finlandezë mbeten skeptikë ndaj etiketës së “kombit më të lumtur”, shumica duket se e vlerësojnë atë që kanë.
“Nuk më vjen lehtë ta quaj Finlandën si vendin më të lumtur në botë”, thotë pensionisti Juha Roiha dhe shtoi se “në vende më të varfra si Tailanda apo Nepali, njerëzit duken të qetë, pavarësisht vështirësive. Në Finlandë, ndonjëherë dëgjon njerëz që thonë se do të ishin më të lumtur diku tjetër. Por brenda vetes, me çfarë kemi, jemi të lumtur”. /Telegrafi/Katror.info