Një lloj krejtësisht i ri kërmilli është zbuluar në pyjet e Azisë Juglindore dhe ka marrë një emër të pazakontë: Pablo Picasso. Emri u zgjodh nga një grup shkencëtarësh me ndjeshmëri të veçantë ndaj artit, për shkak të formës kubiste të guaskës së tij, shkruan GoodNewsNetwork, përcjell Katror.info.

Kërmilli mikroskopik, i quajtur Anauchen picasso, ka vetëm 3 milimetra gjatësi, por forma e tij e jashtëzakonshme tërheq menjëherë vëmendjen. Ndryshe nga kërmillët e zakonshëm, guaska e tij përbëhet nga kthesa me kënde të mprehta drejtkëndore, të cilat studiuesit i krahasojnë me stilin e Kubizmit, që u bë i famshëm nga vetë Picasso.

“Edhe pse madhësia e tyre është më pak se 5 mm, këto kërmij janë vërtet të bukur,” tha Dr. Barna Páll-Gergely, bashkautor i studimit. Ai shpjegon se hapja e guaskës është e mbrojtur me pengesa në formë dhëmbësh, ndoshta për t’u mbrojtur nga grabitqarët.
Një tjetër detaj i veçantë është se disa nga këto kërmij e mbajnë guaskën të përmbysur – me hapjen që kthehet lart ose poshtë.
Zbulimi është pjesë e një studimi të gjerë prej 300 faqesh të publikuar në revistën ZooKeys, ku përshkruhen 46 lloje të reja kërmijsh mikroskopikë nga vende si Kamboxhia, Mianmari, Laosi, Tajlanda dhe Vietnami. Disa prej tyre u gjetën në natyrë, ndërsa të tjerë ishin të ruajtur në koleksionin e Muzeut të Floridës që nga vitet ‘80.
Sidoqoftë, kërkuesit shprehin shqetësim se shumë nga habitatet ku janë gjetur këta kërmij tashmë janë shkatërruar nga shpyllëzimi dhe guroret e gëlqeres, duke vënë në rrezik këto specie të veçanta./Katror.info