Qeveria e Malit të Zi është pranë një vendimi historik për vendosjen e një orari pune 7-orësh, raportojnë mediat vendase, duke cituar kryeministrin Milojko Spajiq.
Sipas raportimeve, që nga java e ardhshme ministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Naida Nisic, do të nisë konsultimet me sindikatat dhe punëdhënësit mbi këtë masë të propozuar, që synon përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, shkruan SeeNews, përcjell Katror.info.
Vendosja e një dite pune me 7 orë ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së kryeministrit Millojko Spajiq, gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2023, të cilat i fitoi partia e tij “Evropa Tani”.
Fillimisht, kjo nismë ishte parashikuar të hynte në fuqi deri në fund të vitit 2024.
Spajiq e ka cilësuar këtë ndryshim si një nga reformat më të mëdha në tregun e punës në Mal të Zi, që synon të sjellë më shumë kohë për familjen, por edhe rritje të produktivitetit dhe efikasitetit në vendin e punës.
Aktualisht, orari standard i punës në Mal të Zi është 40 orë në javë, i ndarë zakonisht në pesë ditë.
Kjo iniciativë vjen pas programit ekonomik “Evropa Tani 2.0”, i nisur nga qeveria në tetor, që përfshinte edhe rritjen e pagës minimale, pensioneve, uljen e barrës tatimore mbi punën dhe unifikimin e normave të TVSH-së në sektorin e mikpritjes./Katror.info