Prishtina është mbushur me energji, buzëqeshje dhe kulturë ndërkombëtare falë Festivalit Ndërkombëtar të Fëmijëve “Ylberi i Prishtinës”, i cili po shënon këtë vit edicionin e tij të 23-të.
Në hapjen zyrtare të mbajtur në Kuvendin Komunal të Prishtinës, fëmijët pjesëmarrës nga 10 shtete sollën përmes vallëzimit, këngës dhe veshjeve tradicionale artin dhe kulturën e vendeve të tyre, duke e kthyer kryeqytetin në një mozaik ngjyrash dhe dashurie për diversitetin kulturor.
Në këtë festival po marrin pjesë fëmijë nga: Ukraina, Rumania, Turqia, Polonia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Shqipëria dhe Kosova, të cilët prezantuab traditat e tyre në ditën e larë në Pallatin e Rinisë,.
Përveç shfaqjeve artistike, organizatorët kanë planifikuar edhe aktivitete të veçanta. Sot, më 26 maj, festivali vazhdon me Paradën e Fëmijëve, që nis nga Sheshi “Skënderbeu” në orën 18:00 dhe përfundon në Sheshin “Zahir Pajaziti”. Pas saj, në orën 19:00 do të mbahet nata e dytë e festivalit në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
Ndërkohë, pjesëmarrësit e vegjël kanë shijuar edhe një ekskursion në Shpellën e Gadimes, ku kanë zbuluar bukuritë natyrore dhe thesaret gjeologjike të Kosovës, duke e bërë këtë përvojë edhe më të veçantë për mysafirët ndërkombëtarë.
“Ylberi i Prishtinës”, organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve, mbetet një nga festivalet më të dashura për fëmijët dhe një aktivitet që përçon mesazhin e paqes, miqësisë dhe bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme. /Katror.info
Përgatiti:
