Në një kohë kur nga njëra anë na thuhet të “qëndrojmë pozitiv” dhe nga ana tjetër zhytja në lajme negative online duket pa fund, gjetja e një balance reale shpesh duket e pamundur. E dimë se optimizmi i tepruar nuk është zgjidhje, as mendimi katastrofik. Por si mund ta gjejmë një mënyrë më të shëndetshme për të ndjerë pozitivitet, pa buzëqeshje të rreme?
Fillo me neutralen, jo me ‘shkëlqim e ylberë’
Të detyrosh veten të ndihesh optimist, kur nuk je, është si të vendosësh një ngjitëse me shkëlqim mbi një ekran të thyer telefoni – nuk e zgjidh problemin. Prandaj, profesorja e psikologjisë në Yale, Laurie Santos, këshillon të fillojmë nga një gjendje neutrale emocionale.
“Nuk ke pse të jesh gjithmonë i lumtur me zor,” thotë ajo. “Truri yt e di kur po e shtirresh.” Në vend që të kërkosh me zor anën pozitive kur nuk e sheh, përpiqu të jesh realist dhe i qetë. Për shembull, nëse dikush nuk të është përgjigjur në mesazh, në vend që të mendosh “më injoron”, mund të thuash “s’ka kthyer ende përgjigje dhe kjo më shqetëson – por nuk di pse”. Kjo mënyrë e zbut bisedën që bën me veten dhe hap rrugën për një qasje më të balancuar, shkruan The Optimist Daily, përcjell Katror.info.
Hiq dorë nga fjalitë ekstreme
Fjalitë si “asgjë s’më shkon mirë” apo “unë gjithmonë i prish gjërat” e ushqejnë mendimin pesimist. Terapeutja Amy Morin sugjeron t’i zëvendësojmë këto me fakte konkrete. Për shembull, “nuk fitova atë punë” është shumë më e lehtë për t’u përballuar sesa “jeta ime është e mjerë”.
Ky ndryshim i vogël në mënyrën se si flasim me veten krijon hapësirë për nuancë – dhe aty fillon optimizmi i shëndetshëm.
Përgatitu për më të keqen – por me plan
Në vend që të shmangim mendimet më të këqija, Morin këshillon t’i përballojmë me një plan. Pyet veten: “Nëse ndodh më e keqja, çfarë do të bëj?”
Nëse të shqetëson një intervistë pune, imagjino skenarin më të keq: nuk e merr vendin. Çfarë pastaj? Mund të rifreskosh CV-në ose të bësh një telefonatë për networking. Nuk po mendon për dështimin, thjesht po i kujton vetes që ka zgjidhje. Kjo qasje jo vetëm qetëson ankthin, por të bën të ndihesh më në kontroll – dhe aty ka gjithmonë vend për shpresë.
Shfleto ‘rezymenë’ e forcës tënde
Ndonjëherë, mënyra më e mirë për të përballuar diçka të vështirë është të kujtosh çfarë ke përballuar më parë. Kujto një moment kur besoje se nuk do ia dilje – por ia dole.
Qofshin ndarje të dhimbshme, prezantime të dështuara, apo ditë që mendove se s’do përfundonin kurrë – i ke kaluar. Dhe kjo është dëshmi që di të qëndrosh në këmbë edhe në ditë të vështira. Ky reflektim të ndihmon të ndërtohesh nga brenda dhe të ndjesh një pozitivitet më të heshtur, por të vërtetë.
Festoi fitoret e vogla (sepse vlejnë)
Sigurisht, është e bukur të festosh një maratonë apo një punë të re, por edhe fitoret e vogla kanë peshë. Laurie Santos sugjeron të vëmë re çdo ditë një gjë të mirë – si kafeja që doli më e shijshme, apo flokët që nuk bënë kapriço sot.
“Kur i mësojmë trurit të shohë çfarë po shkon mirë, edhe në mes të kaosit, ndërtojmë një bazë më reale për një gjendje mendore më pozitive,” thotë ajo. Optimismi nuk është tipar i lindur – është një praktikë. Dhe shpesh nis duke parë ato që në dukje duken të vogla, por janë shenja që jeta ecën përpara. /Katror.info
Përgatiti:
