Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim sopranon me famë botërore, Ermonela Jaho, e cila do të mbajë një koncert më 8 qershor në Prishtinë, shkruan Katror.info.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e jashtëzakonshëm të Jahos në promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në skenat më të njohura ndërkombëtare. Ajo e cilësoi praninë e sopranos në Kosovë si një nder dhe frymëzim të veçantë, sidomos për të rinjtë që synojnë të ndjekin ëndrrat e tyre në fushën e muzikës.
“Arti është një ndër format më të fuqishme të përfaqësimit të identitetit dhe dinjitetit të një shteti në arenën ndërkombëtare,” theksoi Presidentja Osmani. Sipas saj, përmes figurave të shquara si Ermonela Jaho, bota njeh më mirë vlerat, shpirtin dhe historinë e popullit shqiptar.
Koncerti i Ermonela Jahos në Kosovë pritet të jetë një ngjarje e veçantë kulturore, që do të mbledhë adhurues të muzikës klasike nga e gjithë rajoni./Katror.info