Nesër, më 10 qershor, nis edicioni i radhës i Panairit të Përgjithshëm “Prishtina 2025”, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. Kjo ngjarje e rëndësishme ekonomike do të zgjasë deri më 12 qershor.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 11:00 deri në 19:00, duke ofruar një platformë gjithëpërfshirëse për prezantimin e produkteve dhe shërbimeve nga kompani vendore dhe ndërkombëtare që operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“Qëllimi i panairit është të nxisë bashkëpunimin ndërbiznesor, të promovojë inovacionin dhe zhvillimin ekonomik si dhe të krijojë mundësi të reja për rrjetëzim mes kompanive dhe konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Panairi pritet të mbledhë pjesëmarrës të shumtë nga fusha të ndryshme, duke përfshirë prodhues, ofrues të shërbimeve, startup-e, si dhe institucione mbështetëse të biznesit.
Oda Ekonomike e Kosovës fton të gjithë qytetarët, profesionistët dhe përfaqësuesit e bizneseve që të marrin pjesë në këtë aktivitet treditor dhe të përfitojnë nga mundësitë që ofron panairi “Prishtina 2025”./Katror.info