Sot, më 16 qershor 2025, përfundon afati për aplikim në konkursin e shpallur nga Ministria e Mbrojtjes për pranimin e kadetëve të rinj në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), për vitin akademik 2025–2026.
Të gjithë të interesuarit që plotësojnë kushtet e konkursit kanë mundësinë të aplikojnë deri në fund të ditës përmes platformës online: rekrutimi.fsk-rks.org/Apply. Konkursi është i hapur për qytetarët e Republikës së Kosovës të moshës nga 18 deri në 22 vjeç, ndërsa për ata që synojnë studime në Turqi, mosha nuk duhet të kalojë 21 vjeç në ditën e mbylljes së konkursit.
Ministria e Mbrojtjes ka theksuar se konkursi garanton mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim etnie apo gjinie, dhe inkurajon pjesëmarrjen aktive të të rinjve në radhët e FSK-së.
Për më shumë informacione rreth kushteve të aplikimit dhe dokumentacionit të nevojshëm, qytetarët mund të vizitojnë faqen zyrtare të ministrisë: mod.rks-gov.net, ose të kontaktojnë në numrat përkatës nga ora 09:00 deri në 15:00./Katror.info