Që nga 15 prilli, Kuvendi i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk po arrin të konstituohet.
Dy muaj pas fillimit të seancës konstituive, deputetët e legjislaturës së nëntë janë mbledhur 32 herë në Kuvend dhe nuk kanë arritur të merren vesh për emrin e kreut të Kuvendit e as për mënyrën e zgjedhjes së tij/saj.
Lëvizja Vetëvendosja si partia e parë për nga numri i mandateve të fituara në zgjedhjet e fundit e ka propozuar fillimisht Albulena Haxhiun për këtë pozitë, por pasi ajo nuk i mori votat e mjaftueshme, ka propozuar themelimin e një Komisioni për votim të fshehtë.
Ndryshimi i mënyrës së votimit gjatë procedurës u kundërshtua nga ish-partitë opozitare dhe më 12.05.2025, lënda u dërgua për interpretim në Gjykatë Kushtetuese me iniciativë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Që nga ajo kohë, Gjykata Kushtetuese nuk ka dal me aktgjykim për këtë lëndë, kurse PDK, LDK e AAK janë në pritje të një shpjegimi nga kjo gjykatë me qëllim që vendosin për hapat e ardhshëm.
Nga partia që i ka 48 deputetë në Kuvend thonë se e respektojnë vendimin e Kushtetueses, por që ftojnë deputetët të marrin pjesë në votim.
“Ne e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese por duhet ta kemi një herë atë. Unë u bëj thirrje edhe një herë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me të drejtat dhe obligimet e tyre, të marrin pjesë në votim dhe meqë e provuam votimin e hapur, le ta provojmë edhe votimin e fshehtë sepse asisoj e parasheh edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014” – ka deklaruar Albin Kurti, kryetar i LVV-së më 16.06.2025.
Shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj, e cila e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Kërkesën për vlerësimin e kushtetushmërisë së propozimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për Zgjedhjen e Kryeparlamentarit të Kosovës, në një konferencë për media tha se kërkesa u nënshkrua nga 11 deputetë të cilët vijnë nga AAK, LDK dhe PDK.
“I lutëm akterët që ta trajtojnë me prioritet, ndoshta edhe me masë të përkohshme që të ndalohet mbajtja e seancave derisa Gjykata ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një Vendim.” – deklaroi Kadrijaj para mediave më 12.05.2025.
Edhe më 09.06.2025, ajo shfaqi shpresën se Gjykata Kushtetuese do të ofrojë alternativë që të mos krijohen edhe në të ardhmen situata të tilla si ngërçi i tanishëm politik në vend.
Po atë ditë, Besian Mustafa tha se LDK-ja është partia e parë që ka respektuar çdo vendim të kësaj gjykate.
“Gjykata Kushtetuese e ka të pamundur që të gjejë zgjidhje për ngërçet politike, por vetëm për ato juridike e kushtetuese. Çdo vendim të Kushtetueses do e pranonim” – pati deklaruar Mustafa.
Vendimin e Kushtetueses e presin edhe nga PDK. Mërgim Lushtaku, deputet nga kjo parti më 07.06.2025 kishte deklaruar se po presin vendimin e kësaj.
“Nuk ka reflektim për ndryshimin e veprimeve anti-kushtetuese dhe anti-ligjore. Si opozitë, ne e kemi dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Është evidente se po neglizhohet procesi i konstituimit të Kuvendit dhe ndërkohë po thellohen problemet e qytetarëve. Kjo është për keqardhje, pasi nuk po shihet asnjë gatishmëri për reflektim nga ana e shumicës parlamentare,” pati deklaruar Lushtaku.
Po ashtu, mendime të ndryshme kanë partitë sa i përket daljes nga ngërçi derisa të merr aktgjykim Kushtetuesja.[…]/Kallco.com/Katror.info.