Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, shkruan Katror.info.
Kjo periudhë, e cila ka filluar më 28 qershor, do të zgjasë deri më 29 gusht 2025. Gjatë kësaj kohe, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë të kontrollojnë qendrën e tyre të votimit dhe, nëse dëshirojnë, ta ndryshojnë atë për ta afruar sa më shumë me vendbanimin e tyre.
Ndërrimi i Qendrës së Votimit mund të bëhet në dy mënyra: përmes platformës elektronike të KQZ-së apo duke paraqitur kërkesën fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është i regjistruar votuesi.
KQZ u bën thirrje të gjithë qytetarëve të shfrytëzojnë këtë mundësi për të lehtësuar pjesëmarrjen në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që të drejtën e votës ta ushtrojnë në një qendër sa më të përshtatshme./Katror.info