Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) dhe Innovation Centre Kosovo (ICK) kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi, me qëllim të fuqizimit të zhvillimit profesional të të rinjve dhe promovimit të energjisë së gjelbër në Kosovë, shkruan Katror.info.
Ky partneritet i ri do të mundësojë punë praktike për të rinjtë në fusha si energjia, teknologjia, menaxhimi dhe komunikimi, si dhe organizimin e trajnimeve dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese për efiçiencën e energjisë. Po ashtu, FKEE dhe ICK do të bashkëpunojnë në projekte inovative që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm dhe ekonominë e gjelbër.
Nënshkrimi i këtij memorandumi shënon një hap të rëndësishëm drejt përfshirjes aktive të të rinjve dhe inovacionit në sektorin energjetik të Kosovës, duke kontribuar në një të ardhme më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin./Katror.info