Një bllok akulli, i cili mund të jetë më i vjetër se 1.5 milionë vjet, ka mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, aty ku shkencëtarët do ta shkrijnë për të zbuluar të dhëna jetike mbi klimën e Tokës.
Ky cilindër kristalor është konsideruar akulli më i vjetër në planet dhe është nxjerrë nga thellësitë e shtresës akullnajore në Antarktidë.
Brenda tij janë “burgosur” prova të rëndësishme shkencore si pluhuri antik, hiri vullkanik dhe madje algat mikroskopike detare, të cilat mund të ndihmojnë studiuesit të kuptojnë temperaturat, modelet e erës dhe nivelet e detit miliona vjet më parë, shkruan BBC, përcjell Katror.info.
Në një dhomë frigoriferike me -23°C në Qendrën Kërkimore Britanike të Antarktikut në Kembrixh, ekipi i udhëhequr nga Dr Liz Thomas po përgatitet për analizat që do të zgjasin shtatë javë.

“Ky është një kapitull krejtësisht i panjohur i historisë së Tokës,” tha Dr Thomas për BBC. Sipas saj, ky projekt mund të revolucionarizojë mënyrën se si e kuptojmë ndryshimet klimatike.
Për nxjerrjen e akullit janë dashur vite punë nga ekipe ndërkombëtare pranë bazës kërkimore italo-franceze Concordia, rreth 40 km larg vendit të shpimit. Në total janë nxjerrë 2.8 kilometra bërthama akulli – ekuivalente me lartësinë e tetë Kullave Eiffel të vendosura njëra mbi tjetrën.
Pas transportit të kujdesshëm në Evropë, pjesë të bërthamave i janë shpërndarë edhe instituteve kërkimore në Gjermani dhe Zvicër.
Në laboratorët britanikë, akulli do të shkrihet ngadalë dhe do të analizohet me një instrument të veçantë – spektrometrin ICPMS – për të identifikuar më shumë se 20 elemente dhe metale gjurmë, përfshirë kripërat detare, elementët e tokës së rrallë dhe gjurmë të shpërthimeve vullkanike.
Shkencëtarët shpresojnë të kuptojnë më mirë kalimin misterioz të klimës së Tokës gjatë periudhës së quajtur Kalimi i Mes-Pleistocenit, rreth 800,000 deri në 1.2 milionë vjet më parë, kur ciklet akullnajore ndryshuan nga çdo 41,000 në çdo 100,000 vjet.
Një nga qëllimet është të mësohet se si nivelet e dioksidit të karbonit natyralisht të larta në të kaluarën mund të kenë ndikuar në klimë – informacion ky i çmuar për të kuptuar trajektoren e ngrohjes aktuale të shkaktuar nga aktivitetet njerëzore në 150 vitet e fundit.
“Historia klimatike e Tokës është çelësi për të kuptuar të ardhmen,” përfundon Dr Thomas. Akulli mund të jetë i ftohtë, por njohuria që sjell është nxehtësisht e domosdoshme për mbijetesën tonë./Katror.info