Në një zhvillim që pritet të ngrejë vetulla në Danimarkë dhe Holandë – kryeqyteti francez Parisi është shpallur qyteti më i mirë në botë për çiklizëm, sipas indeksit vjetor të organizatës People For Bikes.
Renditja, e cila mat cilësinë dhe lidhshmërinë e rrjeteve të biçikletave në qytetet e mëdha, vendosi Parisin në vendin e parë, përpara Hagës dhe Brukselit.
Në vitet e fundit, Parisi ka kaluar një transformim të dukshëm në favor të transportit të qëndrueshëm. Nën drejtimin e kryetares në largim, Anne Hidalgo, qindra kilometra korsi biçikletash janë shtuar, shpesh duke zëvendësuar hapësirat e parkimit për makina – pjesë e një strategjie më të gjerë për të gjelbëruar qytetin, shkruan Positive News, përcjell Katror.info.
Megjithatë, jo të gjithë bien dakord me këtë vlerësim. Ambasada Holandeze për Çiklizëm vlerëson qytetin Utrecht si modelin më të përparuar për çiklizëm urban, duke e përshkruar si “qyteti ku e ardhmja ka mbërritur tashmë”.
Pavarësisht debatit mbi vendet në renditje, trendi është i qartë: qytetet evropiane po bëhen gjithnjë e më miqësore për çiklistët, duke përqafuar një mënyrë jetese më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme./Katror.info