Në Gjakovë, afër Çarshisë së Vjetër, një organizatë e re po ndryshon mënyrën se si qytetarët mendojnë për komunitetin e tyre.
Që nga viti 2021, organizata Activism Roots ka marrë përsipër një mision të nxisë, të forcojë dhe të zhvillojë qytetarinë aktive jo vetëm në këtë qytet, por edhe në pjesë tjera të Kosovës, – shkruan Katror.info.
E themeluar nga Ideal Zhaveli, organizata është shndërruar në një pikë takimi për të gjithë ata që besojnë se ndryshimi nis nga angazhimi i përditshëm. Nga trajnime, fushata, projekte inovative e deri te murale shumëngjyrëshe që e kanë transformuar qytetin – “Activism Roots” është dëshmi se fuqia e komunitetit mund të ndryshojë realitetin.
“Prej fillimit kur e kemi menu ‘Activism Roots’ ka qenë që me qenë sa më aktiv në nivel lokal, duke marrë parasysh që pavarësisht që kishte shumë organizata të shoqërisë civile, nuk është që është bërë aktivizmi qytetar më konkret dhe që është bo i përditshëm dhe i vazhdueshëm. Misioni jonë kryesor është ngritja e aktivizmit qytetar në nivel lokal, në komunat lokale, jo në nivelin qendror, por sigurisht që na vazhdojmë edhe në nivelin qendror me qenë aktiv, – tha ai.

“Është shumë e rëndësishme që komuniteti me kuptu që aktivizmi qytetar mundet me u bo çdo ditë, mundet me u bo në fusha të ndryshme, mundet me u bo në aspektin që thirret secili person në profesionalizmin e vet, po edhe në vullnetarizmin e vet që munden me i bo” – shtoi tutje.
Një nga projektet më të dashura është “Gjallnohu”, lindur nga shprehja popullore e Gjakovës. Me hapa të vegjël, por me zemër të madhe, ky projekt ka frymëzuar të rinj e të reja që ta shohin aktivizmin si diçka të prekshme, konkrete dhe të përditshme.
“Kuptohet ne kemi bashkëpunime edhe në nivelin rajonal, po fokusohemi kryesisht në Kosovë. Sigurisht një prej projekteve që shpeshherë e thojmë kështu edhe me plot zemër është projekti ‘Gjallnohu’ ku qysh nga emri ka fillu me atë sistemin dhe qëllimin që me e zhvillu aktivizmin qytetar, po t’u marrë me sende shumë të vogla. Kur e kemi vendos emrin Gjallnohu, ka ardhë prej gjuhës që përdoret në vendet ku jetojmë, pra në pjesën e Gjakovës e përdorim shumë ‘gjallnohu’” – tha drejtori ekzekutiv i organizatës.
“Për momentin (podcasti) është i vetmi që fokusohet te aktivizmi qytetar përmes shoqërisë civile edhe jemi mundu aty me u fokusu dhe kemi pasë mysafirë tepër të mirë, tepër të këndshëm, edhe ka shku tepër mirë, po mundohemi që me gjetë edhe mundësi tjera të cilat me qenë shumë ma ‘in’ në këtë rast dhe me arrit një ‘reach’ shumë ma të naltë për shkak se po e shohim që ka mesazhe shumë konkrete, të forta, të mira, të cilat kishin ndiku te të rinjtë” – tha ai.
Sukses i madh ka qenë edhe programi Youth Connect for Impact in Society, përkrahur nga Ambasada Amerikane, ku qindra të rinj nga shtatë rajonet e Kosovës u bashkuan për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të sjellë ndryshim real.
“Ka pasë aktivitete konkrete që e kanë zhvillu pjesën e diversitetit, po gjithashtu edhe të aktivizmit qytetar të të rinjve të moshave të reja, 14-18, edhe kemi pa qysh të rinjtë në momentin kur kanë komunikim me njëri-tjetrin, po ashtu fillojnë me pasë suksese goxha konkrete dhe me iniciativat e tyre kanë pasë shumë suksese të përbashkëta” – tregoi ai.
Në Gjakovë, ndoshta shembulli më i dukshëm janë 16 trafot elektrike të shndërruara në murale shumëngjyrëshe – një art i që jo vetëm zbukuroi hapësirën publike, por solli edhe mesazhe të forta për bashkëjetesën, solidaritetin dhe gjallërinë qytetare.
“Qëllimi i muraleve ka qenë me rregullu hapësira publike, të cilat mujmë me i pa përditë, ose që i kena pa përditë, edhe kjo ka ndodhë për shkak të vullnetarëve të cilët janë profesionistë në art ose kanë me u bo profesionistë në art. Prej qytetarëve është pritë në mënyrë të mahnitshme, për shkak se është diçka e re që ka ndodhë në qytet, edhe pse ka ndodhë që me qenë konkret edhe më herët, po vitet e fundit nuk ka pasë diçka edhe janë rregullu trafotë elektrike” – u shpreh z.Zhaveli.
“Ata e kanë gjetë dhe i kanë lidhë me mesazhe shumë të qarta në pjesën që me kanë sa më të mirë me njëri-tjetrin, me i shiju edhe pamjet, po gjithashtu edhe mesazhet që me komuniku me njëri-tjetrin, me bashkëpunu me njëri-tjetrin edhe mu gjallnu sa më shumë” – rrëfen tutje.
Kjo organizatë nuk është vetëm për art apo fushata – është për afrimin e komunitetit. Me mbi 20 aktivistë të angazhuar rregullisht dhe me 80% pjesëmarrje të vajzave të reja, “Activism Roots” po krijon një brez të ri qytetarësh që nuk presin, por veprojnë.
“Sigurisht, që edhe përmes rrjeteve sociale, edhe përmes takimeve, përmes trajnimeve që i kemi, e shohim se sa të rëndësishëm janë ata që me bashkëpunu dhe sa të rëndësishëm sigurisht janë këto aftësi që mujnë ata me i zhvillu e shohin tepër mirë edhe vazhdojnë që me kanë aktiv për komunitetin” – tha ai.
Për drejtorin ekzekutiv të organizatës, trajtimi i respektueshëm dhe frymëzimi i të rinjve pjesëmarrës mbetet fokusi kryesor i punës së tij.

“E para është energjia që mundohem me i shfaq te ta dhe kjo po besoj më ka ba mirë kur kam qenë vullnetar dhe e kam pa qysh është dashtë ndoshta me qenë një lider i një organizate ose një lider i një kampanje”.
“Sigurisht, na me akterët lokalë të secilës komunë kemi bashkëpunime shumë konkrete, janë tepër të mira dhe me secilën shkollë të mesme dhe me shkollat fillore dhe universitetet kur bashkëpunojmë, i kemi shumë të mira dhe vazhdojnë çdoherë dhe po vazhdojnë tash e tutje dhe po besoj që kanë me qenë tepër konkrete, se në momentin kur ulemi edhe diskutojmë e shohim sa shumë të përbashkëta kemi ose nevojat e përbashkëta që i kemi, momentin kur diskutojmë për shembull për të mirën e rinisë, po edhe për të mirën e shoqërisë së vendit ku jetojmë, qysh mundemi me pa të ardhmen, për shkak se kjo fjala, kur përdoret rinia është e ardhmja, unë mendoj që duhet m’i ndryshu pak, se është e tashmja dhe e ardhmja, të dyja” – u shpreh ai.
Sfida? Ka plot. Por për ta, edhe sfidat janë energji. Sepse aktivizmi, siç e dëshmon kjo organizatë, është një rrugëtim që nuk ndalet.
“Sigurisht, sfidat janë të vazhdueshme. Nganjëherë, bile kur diskutojmë, thojmë shyqyr që janë këto sfida, na sjellin pak energji dhe mujmë me qenë shumë ma produktiv. Vitin e fundit, sfida më e madhe ka qenë rastet me fondet amerikane specifikisht, po sfida tjera kanë qenë edhe kjo mungesa e pjesëmarrjes së mjaftueshme të të rinjve, ma herët ka qenë shumë ma e madhe në këtë pjesë. 2026-ën këto sfida po shpresoj që kanë me mungu dhe ka me qenë shumë ma mirë” – deklaroi ai.
“Na i bëjmë thirrje secilit të ri dhe secilit qytetar mos flini në njëfarë mënyre, mundohuni me qenë sa më aktivë për shkak se në momentin kur angazhohemi të gjithë bashkë, kemi me arritë shumë më shumë suksese dhe shumë më shumë të mira për qet vend në të cilin po jetojmë” – fton ai.
Activism Roots është shndërruar në një pikë referimi për aktivizmin lokal, duke treguar se ndryshimi nuk ndodh vetvetiu, por ai ndërtohet, hap pas hapi, bashkë me qytetarët./Katror.info.
Edicionin #86 të plotë e gjeni KËTU 🙂
