Një hapësirë dikur e mbyllur për strehim është transformuar në një vend të hapur për krijimtari, liri dhe shprehje artistike. Mbrëmë u promovua “Ulpiana Art Center”, qendra e re kulturore që do të funksionojë në ish-bunkerin e lagjes Ulpiana në Prishtinë.
“Sonte promovuam “Ulpiana Art Center”. Një udhëtim nga frika në frymëzim – nga një hapësirë e mbyllur për strehim, në një vend të hapur për krijimtari, liri dhe shprehje artistike”, njoftoi Sibel Halimi. drejtoreshë për Kulturë në Prishtinë.
E planifikuar të hapet zyrtarisht këtë shtator, qendra synon të shndërrohet në një pikë referimi për inovacionin artistik dhe angazhimin komunitar. Nisma është pjesë e projektit për Industritë Kreative, e mbështetur nga Ambasada e Dukatit të Madh të Luksemburgut në Prishtinë, dhe synon të përshpejtojë zhvillimin lokal përmes planifikimit strategjik dhe një oferte më të fuqishme kulturore e kreative.
“Ulpiana Art Center” do të ofrojë hapësira për artistë, aktivitete publike dhe projekte që ndërthurin artin me komunitetin, duke transformuar një simbol të izolimit në një vatër të re të frymëzimit dhe bashkëpunimit./Katror.info