“Ka nisur si hobi dhe tani më është bërë profesion, e dikur stil jete. Kam nisur kur nuk ka pasur as trepikësh, as semaforë, as kosh me faul. Kam vazhduar në ligat e një shteti që sot as nuk ekziston, dhe në ligat e një shteti që po e themelonim vetë, pa ditur kur ajo ëndërr do të realizohej. Kam luajtur në beton, në sallat e sporteve, në palestrat e shkollave fillore, kam transmetuar Ligën e Kosovës nga sallat e ftohta me telefon statik për radio. Kam transmetuar NBA-n dhe Lojërat Olimpike,” – rrëfen Blerim Vuniqi, ish-basketbollist dhe gazetar sportiv me përvojë të gjatë në Kosovë, në episodin e tretë të dokumentarit “4 Çerekët”.
Në këtë episod, një rrëfim i veçantë vjen nga ish-basketbollistja Resmije Juniku, e cila kujton një moment të pazakontë nga karriera e saj.
“Kishte dhënë dhjetë treshe radhazi në një ndeshje – pa ndërprerje. Ka qenë kah fundi i karrierës sime, kur trajneri kundërshtar thoshte se ‘ajo nuk di’. Mu ngjall inati dhe adrenalina – hop një, hop dy, hop tre… deri në dhjetë treshe. Ishin tridhjetë pikë rresht. Shumë rrallë i ka ndodhur dikujt,” – rrëfen Juniku.
Ajo shton se edhe vetë nuk e kishte besuar se mund t’i realizonte dhjetë treshe pa ndërprerje, por fjalët nënvlerësuese të trajnerit kundërshtar u kthyen në motivim për të treguar vlerën e saj në parket.
Dokumentari “4 Çerekët”, i autorit dhe producentit Leart Hoxha, me intervista të realizuara nga Blerim Vuniqi, është prodhim i Katror Media dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
👉 Episodin e tretë të dokumentarit mund ta ndiqni këtu: