Shëtitorja në Grykën e Neredimes në Ferizaj po merr një pamje të re, falë projektit të rivitalizimit të nisur nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit. Shtigje të reja për ecje, fushë sportive, veranda moderne dhe ura mbi lumin Neredime janë pjesë e këtij transformimi që synon të ofrojë një hapësirë të rregulluar për rekreacion dhe sport.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se ky projekt do të sjellë një përmirësim të ndjeshëm të jetës së qytetarëve dhe do të rrisë atraktivitetin turistik të zonës.
“Mes ajrit të pastër të Grykës së Neredimes, po merr formë një shëtitore e rivitalizuar plotësisht. Me shtigje të reja të ecjes, fushën sportive, verandat që tashmë janë vendosur dhe urat që janë në ndërtim mbi lumin Neredime, kjo hapësirë po kthehet në një destinacion të ri për qytetarët tanë,” u shpreh Aliu.
Ai theksoi se projekti është pjesë e vizionit të komunës për zhvillim të qëndrueshëm dhe krijim të më shumë hapësirave publike funksionale.
“Kjo nismë është dëshmi e angazhimit tonë për të ofruar jo vetëm më shumë infrastrukturë, por edhe cilësi më të lartë jetese për qytetarët. Ferizajasit po fitojnë një hapësirë të re e të rregulluar për sport dhe rekreacion,” tha kryetari./EO/Katror.info