Studimet e reja tregojnë se ekspozimi i hershëm ndaj alergjenëve, si kikiriku, forcon tolerancën imunitare dhe zvogëlon ndjeshëm rrezikun e reaksioneve të rënda alergjike më vonë në jetë
Rreth 60.000 fëmijë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shmangur zhvillimin e alergjisë ndaj kikirikut që nga viti 2015, kur autoritetet shëndetësore rekomanduan për herë të parë futjen e këtij alergjeni që nga muaji i katërt i jetës së fëmijës, raporton agjencia Associated Press (AP).
Sipas studimit të botuar në revistën shkencore “Pediatrics”, numri i rasteve të alergjisë ndaj kikirikut te fëmijët deri në moshën trevjeçare ka rënë me më shumë se 27 për qind pas rekomandimeve të para, dhe me mbi 40 për qind pas zgjerimit të udhëzimeve në vitin 2017.
“Sot mund të themi me siguri se ka më pak fëmijë me alergji sesa do të kishte pa këtë program shëndetësor”, deklaroi Dr. David Hill, nga Spitali i Fëmijëve në Filadelfia.
Edhe pse shkalla e përgjithshme e alergjive ushqimore në SHBA vazhdon të rritet, duke prekur rreth 8 për qind të fëmijëve, prej të cilëve më shumë se 2 për qind kanë alergji ndaj kikirikut, ekspertët theksojnë se ekspozimi i hershëm është faktor vendimtar në parandalimin e alergjive, transmeton Telegrafi.

Kjo gjetje përputhet me qëndrimet e National Institutes of Health (NIH) dhe American Academy of Pediatrics, të cilat mbështesin futjen graduale të ushqimeve që përmbajnë kikirik pas muajit të katërt, nën mbikëqyrjen e pediatrit, për të ulur ndjeshmërinë e sistemit imunitar ndaj proteinave alergjike.
Alergjia ndaj kikirikut lind kur sistemi imunitar e njeh gabimisht proteinën e kikirikut si substancë të dëmshme dhe çliron kimikate që shkaktojnë simptoma alergjike si skuqje, vështirësi në frymëmarrje dhe në raste të rënda, anafilaksi, një reaksion potencialisht fatal që kërkon trajtim urgjent me epinefrinë (adrenalinë).
Për dekada, mjekët rekomandonin që futja e kikirikut dhe ushqimeve të tjera potencialisht alergjike të shtyhej deri në moshën trevjeçare. Megjithatë, në vitin 2015, Gideon Lack nga King’s College London publikoi studimin revolucionar “Learning Early About Peanut Allergy (LEAP)”, ku tregoi se futja e produkteve të kikirikut në fëmijërinë e hershme ul rrezikun e alergjisë ushqimore me mbi 80 për qind.
Analizat e mëvonshme konfirmuan se efekti mbrojtës ruhet në rreth 70 për qind të fëmijëve edhe gjatë adoleshencës, çka nënvizon rëndësinë e ekspozimit të hershëm si strategji afatgjatë për parandalimin e alergjive ushqimore.
Kujdes praktik:
Ekspertët rekomandojnë që produktet e kikirikut të futen vetëm në formë të butë – si qull, gjalpë i holluar ose pluhur i përzier me ushqim për foshnja. Kokrra e plotë e kikirikut nuk duhet të jepet deri pas moshës 5 vjeçare, për të shmangur rrezikun e mbytjes, sipas NIAID dhe AAP Guidelines, 2020)./Katror.info













