Industria kreative e Kosovës ka kohë që është dëshmuar në skenën ndërkombëtare. Festivale filmash, ngjarje të artit vizual e individë përtej organizatash kulturore, kanë depërtuar përtej vendit e këtë të fundit e kanë bërë të njohur ndërkombëtarisht. Kanë ndikuar në diplomacitë midis vendeve, e kanë bërë atë që nuk e ka bërë dot ende politika.
Ftesa e Mbretit Charles III për artistë e udhëheqës organizatash ka qenë konfirmimi i radhës i njohjes ndërkombëtare. Si platformë e krijuar në vitin 2014 për të rritur bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Procesit të Samitit të Berlinit, kjo e fundit organizohet së paku një herë në vit. Sivjet për të parën herë, pos liderëve të të gjashtë shteteve të kësaj ane, në pritjen e së martës mbrëma janë ftuar edhe individë e përfaqësues të organizatave si pjesë e industrisë kreative.
Kjo njohje nga Mbreti Charles III në pallatin më të lartë mbretëror në Britani “St. James’s Palace” ka ardhur për festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, për bienalen e artit bashkëkohor “Autostrada Biennale”, si dhe për artistin Jakup Ferri.

Në një videoincizim të publikuar në rrjete sociale, monarku britanik shihet tek pyet artistin Jakup Ferri për veprat dhe ai ia shpjegon motivet e frymëzimin nga vendi i tij, përditshmërinë e shfaqur në skicat e tij e tapiceritë e qëndisura nga gratë e Kosovës. Vepra të tilla të tij janë edhe pjesë e skenës së artit vizual në Angli. Në Leeds në kuadër të “Harewood Biennial”, vitin e kaluar, Ferri shfaqi rreth 70 vepra të tij, në atë që njihet si bienalja kryesore artizanale e këtij lloji jashtë Londrës.
Eroll Bilibani, njëri prej organizatorëve të “DokuFestit”, ka thënë se është nder të ftohesh në një ngjarje kaq të rëndësishme, dhe që organizata në të cilën angazhohet, të konsiderohet si një prej liderëve të industrisë kreative në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ishte goxha nder i madh. Kjo është hera e tretë që si ‘DokuFest’ jemi të involvuar në këto takime që kanë të bëjnë me procesin e Berlinit. Ka qenë më herët pjesëmarrja ime në Kotorr në Mal të Zi, në Konferencën e Ministrave të Kulturës të Ballkanit Perëndimor, ku e pata rastin të mbaja një fjalim para tryezës së ministrave, pastaj më vonë, më 9 tetor, pasi që nuk munda të udhëtoja, e dërgova një video në Takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Belfast të Irlandës Veriore”, ka thënë Bilibani derisa pritjen nga Mbreti e ka konsideruar njohje të aktivitetit të tyre.

“Ky ishte takimi i tretë, ngjarja kryesore ku Mbreti Charles III organizoi një pritje për kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe për liderët në industritë kreative në rajon, pra organizata dhe individë që dallohen me aktivitetet e tyre, për impaktin në komunitetet e tyre, por edhe më gjerë”, ka thënë Bilibani në vazhdim të fjalës së tij në një bisedë për KOHËN.
Është shprehur se që nga takimi me veprat e Jakup Ferrit në dhomën e pritjes së të ftuarve ka qenë moment krenarie.
“Ishte moment ku ne si Kosovë duhet të ndihemi shumë krenarë me pjesëmarrjen, sepse vetë hyrja në dhomën ku bëhej pritja, momenti kur pamë punimet e Jakup Ferrit të ekspozuara aty, ishte me të vërtetë rrëqethës. Numri i pjesëmarrësve, duke konsideruar Kosovën si prej shteteve më të vogla të rajonit, pjesëmarrja jonë ishte goxha në numër të mirë, në atë çka thonë për ne se kur vjen puna te kreativiteti, jemi me të vërtetë liderë në rajon”, është shprehur Eroll Bilibani.
E ka konsideruar moment të veçantë e njohje shumë të rëndësishme të industrisë kreative, ngase, sipas tij, Kosova “është dëshmuar edhe si motor i zhvillimit ekonomik, por edhe i bashkëpunimit rajonal që ndodh”.
“Secili pjesëmarrës ishte i përzgjedhur. Ishin kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor, kryeministri britanik, njerëz të Parlamentit britanik dhe organizata e individë të ftuar, që të përfaqësojnë qoftë organizatën, qoftë punën e tyre”, ka thënë ai.
Mbreti Charles III ka vizituar Kosovën dy herë. Herën e parë në shtator të 1999-s dhe herën e dytë në mars të vitit 2016. Çifti i familjes mbretërore britanike, atëkohë Princi Charles dhe Dukesha Camila në vizitën e tyre para nëntë vjetësh ishin pritur me ceremoni të lartë shtetërore. Ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte dekoruar Mbretin e tanishëm Charles III me “Urdhrin për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e tij jetësor në përkrahje të paqes, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet popullit të Kosovës dhe më gjerë. Kurse, gjatë vizitës së parë të tij në shtator të vitit 1999, Charles në uniformë ushtarake kishte vizituar trupat britanike të KFOR-it.
Bilibani ka bërë me dije se monarku britanik e ka ende të freskët vizitën e fundit në Kosovë. Derisa ka zbuluar komunikimin me Mbretin Charles III ka thënë se shpreson ta vizitojë sërish Prizrenin, i cili, siç i është thënë, i kishte lënë mbresa.
“Sa i përket diskutimit me Mbretin Charles, normalisht i thashë që gëzohem që e shoh përsëri, tash në shtëpinë e tij, pasi që herën e parë ishim nikoqirë të tij para dhjetë vjetësh, kur e pati vizituar Kosovën dhe kur patëm rastin ta takojmë në Prizren dhe t’ia dhurojmë një kalldrëm, çmimin e ‘DokuFestit’. Ishte mbresëlënëse, sepse ai e kishte mbajtur mend Prizrenin si një qytet që i kishte lënë mbresa dhe në të cilin shpreson që do të kthehet prapë në vizitë. Ia zgjata një ftesë që të kthehet prapë në Prizren”, ka treguar Bilibani.
E bashkëthemeluesja e “Autostrada Biennale” dhe një nga tre udhëheqësit e qendrës për art bashkëkohor “Autostrada Hangar”, Vatra Abrashi, ka thënë se pritja ka qenë nderim i institucioneve e individëve që kontribuojnë në industrinë kreative të vendeve të tyre.
“Kemi qenë shumë të lumtur dhe krenarë që e kemi marrë një ftesë të tillë, sepse procesi i Samitit të Berlinit mbahet çdo vit. Kësaj radhe është hera e parë që industria kreative dhe kulturore është pjesë e saj dhe i gjithë ky recepsion i organizuar prej Mbretit është për të nderuar organizatat dhe institucionet që kontribuojnë në vendin e tyre sa i përket industrisë kreative dhe kulturore nga shtetet e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur ajo në një bisedë telefonike nga Hamburgu.
Ka thënë se prezenca dhe prezantimi i institucionit dhe ngjarjes që bashkëdrejton janë produkt i sukseseve në vend e në skenën ndërkombëtare artistike.
“Kemi qenë shumë të lumtur që kemi përfaqësuar Kosovën si ‘Autostrada Biennale’ duke u marrë si shembull gjithë impaktin gjatë bienales, por dhe si ‘Autostrada Hangar’ dhe vetë përzgjedhja midis dhjetë ekspozitave më të mira në Evropë nga ‘Frieze’ në Londër. Gjithë impakti ka pasur ndikimin që ‘Autostada…’ të jetë pjesë e këtij takimi. Ka qenë një event e mundësi shumë e mirë të takohesh edhe me partnerë të tjerë që japin rol të rëndësishëm në shtetet e tyre, për të krijuar bashkëpunime e takime të ndryshme, rrjetëzim me organizatat britanike e edhe të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Abrashi.

Edhe ajo ka konfirmuar interesimin e Mbretit Charles III për Kosovën.
“E kemi takuar Mbretin dhe ka qenë një përfaqësim dinjitoz. Ai ka shprehur interesim për Kosovën dhe për të ardhur për ta vizituar, gjë që na ka bërë shumë të lumtur. Besoj se ka qenë një takim shumë i mirë, i frytshëm dhe i cili do të sjellë shumë shkëmbime dhe rezultate të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt për vendin tonë. Të përfaqësohet Kosova në atë nivel ka qenë jashtëzakonisht kënaqësi dhe nder për ne”, është shprehur Vatra Abrashi.
Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 si një platformë për të rritur bashkëpunimin midis vendeve pritëse të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve pritëse të Procesit të Berlinit, si dhe BE-së. Midis liderëve të Ballkanit Perëndimor i pranishëm ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, si dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama./Koha.net/Katror.info













