Në keqardhjen e madhe të shumë pronarëve, qentë nuk jetojnë aq gjatë sa njerëzit. Megjithatë, ata plaken në mënyra të ngjashme — nyjat ngurtësohen, qimet bëhen gri, energjia venitet.
Një studim i ri sugjeron se këto ngjashmëri mund të jenë shumë të vlefshme për shkencën.
Projekti “Dog Aging Project” ka rekrutuar mbi 50 mijë qen shtëpiakë të racave, madhësive dhe moshave të ndryshme në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Duke ndjekur jetën e tyre në shtëpi dhe duke regjistruar ndryshimet që ndodhin me kalimin e viteve, studiuesit synojnë të ndërtojnë një pamje të detajuar të procesit të plakjes tek qentë — dhe, me kohë, të hedhin dritë edhe mbi plakjen tek njerëzit.
Rezultatet e fundit tregojnë se kjo qasje po jep fryte. Studimi, analizoi plazmën e gjakut të afro 800 qenve të racave dhe moshave të ndryshme. Rezultatet treguan se me kalimin e viteve, përbërja e molekulave në gjakun e qenve ndryshon në mënyrë të parashikueshme.
Shkencëtarët shpresojnë që këto molekula të mund të shërbejnë si tregues të moshës biologjike – si për qentë, ashtu edhe për njerëzit – duke ofruar një lloj “testi gjaku” që mund të zbulojë se sa vjetër është në të vërtetë trupi ynë.
Ka tashmë shenja që ndryshime të ngjashme ndodhin edhe tek njerëzit. Nëse këto paralele midis specieve rezultojnë të qëndrueshme, qentë mund të kthehen në aleatë të papritur për të kuptuar dhe ngadalësuar plakjen.
Në kampionet e gjakut, studiuesit matën mbi 100 metabolitë – molekula të vogla që prodhohen kur trupi përpunon ushqimin dhe rinovon indet. Ata zbuluan se rreth një e treta ndryshonin me moshën.
Mes tyre ishin edhe disa komponime të quajtura aminoacide të modifikuara, mbetje kimike që krijohen kur trupi zbërthen proteinat e veta. Nivelet e këtyre komponimeve u rritën me kalimin e viteve, duke treguar se plakja sjell ose më shumë shpërbërje proteinash, ose më pak efikasitet në pastrimin e mbetjeve.
Ky model u vu re në të gjitha racat. Qentë e mëdhenj, si Great Dane, zakonisht jetojnë më pak se të vegjlit, por edhe pse “plaken” më shpejt, ndryshimet metabolike ndjekin të njëjtin model, vetëm në një periudhë më të shkurtër. Dieta dukej se kishte pak ndikim – qoftë ushqim i thatë apo mish i freskët, modeli mbeti i njëjtë.
Ekipi zbuloi gjithashtu se funksionimi i veshkave shpjegonte rreth gjysmën e rritjes së fragmenteve proteinike me moshën. Ashtu si tek njerëzit, edhe tek qentë veshkat bëhen më pak efektive me kalimin e viteve, duke lejuar akumulimin e mbetjeve në gjak.
Në tërësi, zbulimet sugjerojnë se këto aminoacide të modifikuara mund të përdoren si tregues praktik i moshës biologjike, duke reflektuar gjendjen reale të trupit dhe jo vetëm numrin e viteve të jetuara.
Në dallim nga minjtë laboratorikë, qentë ndajnë të njëjtin mjedis me njerëzit – jetojnë në të njëjtat shtëpi, marrin të njëjtin ajër, madje shpesh hanë ushqim të përpunuar dhe kanë nivele të ndryshme aktiviteti, si pronarët e tyre.
Kjo e bën të dhënat e tyre më “të çrregullta”, por njëkohësisht shumë më reale dhe përfaqësuese. Dhe meqë jeta e qenve është shumë më e shkurtër, studiuesit mund të vëzhgojnë ciklin e plotë të plakjes brenda disa viteve, në vend të dekadave.
Nëse gjithçka ecën sipas planit, qentë e vjetër mund të na mësojnë disa truke të reja shkencore për të kuptuar më mirë vetveten. /AP/Katror.info













