Lshati piktoresk i Linit është shpallur “Ansambël Arkitektonik Urban” dhe tashmë është përfshirë në zonën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau pamje nga fshati Lin, që ndodhet në brigjet e liqenit të Ohrit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Pogradecit.
“Fshati i bukur i Linit sapo është shpallur “Ansambël Arkitektonik Urban”, duke u përfshirë në zonën shqiptare të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”, u shpreh Rama.
Vendbanimi palafit i Linit në Pogradec – pas gërmimeve 4-vjeçare të arkeologëve shqiptar dhe atyre nga Universiteti i Bernës – ka rezultuar më i vjetri në Evropë.
Një vendbanim ky, mbi 8 mijë e 400-vjeçarë, në të cilin është zhvilluar bujqësia, zejtaria dhe peshkimi.
Shpallja e Linit si pjesë e Trashëgimisë Botërore përbën një tjetër njohje ndërkombëtare për vlerat historike, arkitektonike dhe natyrore të zonës së Pogradecit.
Ky status i ri vlerëson peizazhin e veçantë natyror që ndërthur trashëgiminë kulturore e natyrore, urbanistikën tradicionale me rrugica kalldrëmi dhe bashkëjetesë komunitare, si dhe arkitekturën vernakulare me teknika e materiale vendase, të përshtatura me klimën dhe resurset lokale.
Fshati ruan strukturën tradicionale urbanistike me rrugica karakteristike prej kalldrëmi, ndërsa arkitektura pasqyron teknika ndërtimi dhe materiale vendase, të përshtatura mjeshtërisht me klimën dhe resurset lokale./AP/Katror.info













