Internistja, endokrinologja dhe diabetologja Venera Berisha Muharremi ka marrë ftesë zyrtare për të marrë pjesë si folëse kryesore (Keynote Speaker) në “5th International Conference on Diabetes and Endocrinology – Diabetes 2025”, që do të mbahet më 7 nëntor 2025 në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Tema e prezantimit të saj do të jetë “Crosstalk between Bone Metabolism and Insulin Resistance”, duke ndërlidhur metabolizmin e kockave me rezistencën ndaj insulinës, një fushë kërkimore me rëndësi të madhe për kuptimin dhe trajtimin e obezitetit dhe diabetit.
Berisha Muharremi ka theksuar se kjo ftesë është një vlerësim për punën e saj kërkimore dhe publikimet shkencore në këtë drejtim, si dhe një mundësi e çmuar për të përfaqësuar Universitetin e Prishtinës – Fakultetin e Mjekësisë dhe Kosovën në një ngjarje ndërkombëtare.
Specialistja ka shprehur nderin për të ndarë përvojat, njohuritë dhe rezultatet e studimeve të saj me kolegë nga e gjithë bota, duke kontribuar në avancimin e kërkimit shkencor në fushën e diabetit dhe endokrinologjisë./Katror.info









