Papa Leoni XIV do të vizitojë tetë qytete në Turqi dhe Liban gjatë muajit nëntor, ka bërë të ditur Vatikani të hënën, udhëtimi i tij i parë jashtë Italisë si papë.
Leoni, papa i parë amerikan, do të vizitojë Turqinë nga 27 deri në 30 nëntor dhe më pas do të jetë në Liban nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor.
Paraardhësi i Leonit, Papa Françesku, kishte planifikuar të vizitonte të dy vendet, por nuk mundi të shkonte për shkak të shëndetit të tij të përkeqësuar. Françesku vdiq më 21 prill dhe Leoni u zgjodh si papa i ri më 8 maj nga kardinalët e botës.
Një pjesë qendrore e vizitës në Turqi do të jenë disa ngjarje të përbashkëta me Patriarkun Bartolomeu, udhëheqësin shpirtëror të 260 milionë të krishterëve ortodoksë të botës, i cili jeton në Stamboll.
Leoni do të takohet gjithashtu me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan në kryeqytetin Ankara, do të vizitojë Xhaminë Blu në Stamboll, dhe do të kremtojë një Meshë Katolike në Volksëagen Arena të Stambollit.
Në Liban, Papa do të takohet me presidentin Joseph Aoun në Bejrut, do të organizojë një takim ndërfetar dhe do të drejtojë një Meshë në natyrë në bregdetin e Bejrutit.
Papa do të lutet gjithashtu në vendin e shpërthimit kimik të vitit 2020 në portin e Bejrutit që vrau 200 njerëz dhe shkaktoi dëme me vlerë miliarda dollarë. /Koha/Katror.info













